Klubet shqiptare i janë rikthyer stërvitjeve në grup që prej dy ditëve dhe po përgatiten për rifillimin e sezonit. FSHF ka caktuar datën 3 qershor për të rifilluar, por një vendim zyrtar duhet të vijë edhe prej institucioneve shtetërore, të cilat duhet të japin dritën jeshile për të parë sërish Superioren në fushë. Situata në Shqipëri prej Koronavirusit nuk duket shqetësuese, duke bërë që çdo gjë të jetë nën kontroll.
Për këtë arsye edhe mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, që në këtë periudhë pandemie ka qenë zëri i cili ka udhëzuar shqiptarët në lidhje me masat që duhet të ndjekin, ka deklaruar se kampionati i futbollit nuk ka përse të jetë i ndalur në qershor. Në një prononcim për “Fan Zone” Pipero bën thirrje për rifillim të sezonit në datën 3, ndërsa nga klubet kërkon që të respektojnë protokollet.
“Shpresoj që në fillim të qershorit do të fillojë, nuk ka pse të jetë i ndaluar tek ne. Ajo që do t’u kërkoja FSHF-së, skuadrave etj., është të respektojnë protokollet, sepse ende nuk kemi siguri maksimale përballë këtij virusi. Jemi më të qartë tani, dimë më shumë, por ende nuk ka siguri maksimale”, ka deklaruar Pëllumb Pipero./Halit Delibashi-Sport Ekspres/