Hetimet për ndeshjen Bylis-Tirana të vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë kanë nisur tashmë dhe përpara Komisionit të Etikës do të japin dëshmitë e tyre një pjesë e protagonistëve. Këta të fundit do të paraqiten ditën e enjte për të thënë versionin e tyre. “Balkanweb” ka mësuar edhe emrat e personave që do të shkojnë përballë Komisionit të Etikës.
Lista nis me presidentët e dy klubeve, Refik Halili dhe Besnik Kapllanaj, që do të ndiqen edhe nga trajneret respective, Emanuel Egbo dhe Veljko Dovedan. Por dëshmi të tjera që do të dëgjihen me interes janë edhe ato të kapitenëve Muça e Murataj, si dhe të Karabecit, Likës dhe Goxhajt.
Më parë u mësua se tashmë një dosje voluminoze është përgatitur për hetimin e këtij takimi. FSHF ia la në dorë analizën ekspertëve të huaj me qëllim që të mos ketë ndërhyrje dhe verdikti në fund të dalë sa më i pastër./Halit Delibashi-Sport Ekspres/