Matthajs De Ligti u largua nga Juventusi pas tre vitesh dhe sezonin e ardhshëm do të mbajë veshur fanellën e Bajernit të Mynihut. Ndarja nuk ka kaluar pa fjalë e deklarata në distancë. Mbrojtësi holandez e bëri të qartë se nuk dëshironte të qendronte te Juventusi, ndërsa Bonuçi do të shprehej se De Ligtit i mungon respekti.
Sakaq, thumbimet në distancë këtë herë i shton Nagelsmani. Trajneri i Bajernit është shprehur se 23-vjeçari i ka pohuar se ka zhvilluar seancën stërvitore më të vështirë në 4 vitet e fundit në përgatitjet që bavarezët po kryejnë për sezonin e ri.
“De Ligti më tha se seanca stërvitore e sotme ishte më e vështira që ai ka pasur në 4 vitet e fundit! Dhe nuk ishte një seancë edhe aq e vështirë. Ishte normale për profesor Brojshin, ndoshta pak më e lehtë se një seancë normale”, ka thënë Julian Nagelsmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/