Të ardhurat nga Premier Liga angleze, edhe vendi i fundit rivalizon me Realin dhe Barcelonën

Premier Liga angleze është kampionati më i bukur në botë? Shumë thonë po, por ka edhe nga ata që dalin kundër. Megjithatë, një gjë është e sigurt: Premier Liga është kampionati më i pasur në botë.

Ditët e fundit janë publikuar përfitimet e klubeve angleze nga e drejta televizive për sezonin që po mbyllet dhe shifrat janë impresionuese.

Premier Liga arkëton më shumë se 3 miliardë sterlina në vit për të drejtën televizive brenda e jashtë Anglisë, ndërsa këtë vit ka shpërndarë 2.42 miliardë sterlina.

Mançester Siti dhe Mançester Junajtid kanë marrë nga 149 milionë sterlina, ndjekur nga Liverpuli e Totenhemi. Uest Bromi i vendit të fundit ka marrë 94 milionë sterlina, ndërkohë që për tre vitet e ardhshme do të arkëtojë sërish dhjetëra milionë, nëse nuk kthehet në Premier Ligë.

Mjaftojnë këto të dhënë për të kuptuar pse kampionati anglez ka një fuqi të frikshme financiare dhe sa vjen e forcohet, duke tërhequr yjet e futbollit.

Sa për krahasim, Uest Bromi i vendit të fundit do ishte klubi i tretë më i paguar në Spanjë, aty ku Atletiko e Madridit ka arkëtuar 99 milionë euro këtë vit, ndërsa vetëm Barcelona (146 milionë) dhe Reali (140 milionë) arrijnë të lënë pas ekipin më të dobët në Angli. Ndërkaq, Las Palmasi i vendit të fundit merr vetëm 44 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *