Ernest Muçi është lojtari i momentit te Tirana dhe më i vlerësuari, ndërsa ka arritur të shkëlqejë edhe në ndeshjet e Europës. Në këtë mënyrë ka treguar aftësitë e tij dhe se është gati për të bërë kalimin e madh.
Kohë më parë Halili do të shprehej se nuk e lëshon sulmuesin për më pak sesa 500 mijë euro. Ndërkohë “Report TV” raporton se me sulmuesin në fjalë ka një ndryshim të strategjisë tek Tirana. Nga të ardhurat e marra me kalimin e turit ndaj Dinamo Tbilisit dhe bashkuar me një ofertë në shifrat që kërkohen nga bardheblutë, që mesa duket ende nuk ka mbërritur në klub, po mendohet që Muçi të mbetet pjesë e ekipit edhe në sezonin e ardhshëm.
Pra si në një bursë, por me një garanci të madhe se do të ketë vetëm përfitime. Me një tjetër sezon ku Muçi pritet të shkëlqejë, madje këtë herë si titullar i padiskutueshëm pas largimit të Ngosë, pikëpyetja e vetme do të jetë shifra e rritjes së çmimit të kartonit të këtij djaloshi të ri që ka fituar dashurinë e të gjithëve. /Sport Ekspres/