Arsyeja se përse Tirana është kampione e Superiores në këtë sezon, megjithëse jo zyrtarisht e shpallur, gjendet në ndeshjen e sotme ndaj Dinamos. Bardheblutë arritën që të realizonin në të 69 me anë të Dejvid, i cili shfrytëzoi pasimin fantastik të Xhixhës.
Ndeshja nisi me aksione të shumta të Dinamos dhe një rast të artë që u shpërdorua nga Lilaj. Në fund, ishin sërish dinamovitët që kishin mundësinë e barazimit. Por nga fare pranë, Agim Ibrahimi nuk ka mundur dot të shënojë dhe Bekaj arriti që të evitonte golin në minutën e 86, duke i pritur penalltinë. Duart e arta të Visarit po e afrojnë Tiranën me titullin. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Shehi: “Kur vjen fundi, spektakli kalon në plan të dytë. Kishim informacion për mënyrën sesi do të luante Dinamo. Në ndeshje derbi janë episodet e rëndësishme. Të tre rezultatet janë të mundura. Më vjen mirë që Visar Bekaj po tregohet vendimtar për ne. Gabimet janë njerëzore, çdokush bën gabim, nga unë i pari. Mendoj se Seferi e meriton të jetë pjesë e përfaqësues, është në listë pritjeje. Të mos harrojmë që janë dy ndeshje miqësore. Në sfidat zyrtare mendoj se do të jetë pjesë e kombëtares. Fjala titull? Kurrsesi nuk mund të themi që kemi dalë kampion, kur kjo nuk ka ndodhur. Nuk duam që skuadra të ulë ritmin, të futet në stres. Duhet të jemi me këmbë në tokë, kemi kohë për të festuar.”