Tatuazhi i ri i Taulant Seferit të emocionon, lojtari që nuk i interesoi “floriri” i Maqedonisë para Shqipërisë

Nga Klaudio Ndreca

Historia e Taulant Seferit të mbush me shpresë dhe krenari për faktin që ka ende lojtarë që e konsiderojnë Shqipërinë të shenjtë dhe nuk e ndërrojnë me asgjë. Një dëshmi e gjallë vjen prej këtij sulmuesi, që nuk u tundua nga gjithçka i dhuroi Maqedonia e Veriut.

Madje teksa e futën edhe në histori, pasi Seferi është lojtari më i ri që ka debutuar me Maqedoninë A, në miqësoren ndaj Kamerunit kur ishte vetëm 17-vjeç e dy muaj. Rekordi mbahej më herët nga Goran Pandev, në moshën 17-vjeç e 7 muaj.

Seferi e pa se fanella e Maqedonisë nuk i jepte asnjë emocion, ndërsa do të priste përjetësisht Shqipërinë. Pas çdo ftese të dërguar për lojtarët shqiptarë, në listë mungonte emri i tij. Por asnjë deklaratë në media për të thënë se do të braktisë Kombëtaren, apo për të bërë presion me preteksin për të shkuar në një tjetër vend.

Ky nuk ishte Seferi, teksa i frymëzuar me patriotizëm, e ka pritur Shqipërinë deri në momentin që i ka trokitur te dera. E kur erdhi debutimi në listën A me kuqezinjtë, babai i tij, Vuskas Seferi, do të shprehej për “Sport Ekspres”:

“Trajneri i Maqedonisë, Angelovski, më tha: “Ku e ke Taulantin?”. I kam thënë se shumë shpejt do të jetë simboli i 8 milionë shqiptarëve dhe do të vijë dita që do të luajë me Shqipërinë A. Jam krenar që djali im mban emblemën më të mirë në botë, atë të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Së fundmi Taulant Seferi ka bërë edhe një tatuazh të ri që të emocionon, me shqiponjën dy krenare dhe duke shkruar: “Kujtohu kush je ti”. /Sport Ekspres/