Pak kohë më parë Igli Tare u zgjodh drejtori sportiv më i mirë në Itali, në bazë të votimit të tifozëve dhe të një jurie përzgjedhur nga Sportitalia. Televizioni italian e kishte ftuar dje në mbrëmje Taren në studiot e veta, duke zhvilluar një intervistë të gjatë, ku u fol për gjithçka në lidhje me Lacion dhe punën e Tares në Itali, ndërkohë që shumë pyetje ishin nga tifozët.
13 VITE ME LACION – “Kam 13 vite me Lacion, 3 si futbollist dhe 10 si drejtor sportiv. Nuk ka sekrete, ka shumë pasion dhe dëshirë për të punuar mirë, por edhe shumë dëshirë për të nderuar klubin ka një histori të rëndësishme dhe duhet mbrojtur e nderuar”.
DREJTORI SPORTIV MË I MIRË – “Më jep kënaqësi fakti që ky nderim vjen nga bota e futbollit, nuk është e lehtë të punosh në Itali. Mbi të gjitha në një ambient të vështirë si Roma, por të jep vetëdijen që je në rrugën e duhur. Megjithatë, duhet qëndruar me këmbë në tokë, duhet kujtuar nga kemi ardhur. Kanë qenë vite të vështira, duhet mbajtur mend mirë në të ardhmen. Në futboll gjithçka ndryshon shumë shpejt, baza është krijimi i themeleve të rëndësishme për të ardhmen”.
STRAKOSHA – “E dërguam në Serinë B që të bëhej i rëndësishëm, ashtu si Luiz Felipe. I takon Salernitanës të kuptojë që janë të rinj dhe që kanë nevojë për mbështetje në momente vështirësish. Salerno është një pjacë që ka kërkesa të larta, ndaj mbështetja ndonjëherë mungon për lojtarët e rinj”.
GARA PËR TITULL DHE CHAMPIONS – “Uroj të fitojë Napoli. Në Champions shkojnë Juventus, Napoli, Lazio dhe një prej Romës e Interit. Nuk kam frikë askënd. A mund të futet Milani në garë? Numrat thonë po. Mirabeli meriton notën 7 për merkaton”.
SIMONE INZAGI – “Problemi i vërtetë ishte se ai vinte nga 7 ndeshje në Serinë A, por unë dhe Lotito e dinim që ishte një i përzgjedhur nga fati. Kishim pak frikë se do digjej, duke e nisur menjëherë nga Lacio. Folëm qartë me të. Po sikur ta kërkojnë Juventusi apo Napoli? Jo, është i Lacios, të paktën edhe për dy sezone. Është shumë i lidhur me këtë klub, nuk kemi frikë se mund të largohet, uroj të qëndrojë 20 vjet, jo dy. Unë i adhuroj përrallat”.
E ARDHMJA – “Ndihem mirë te Lacio. Nëse do të më merrte në telefon ndonjë drejtues i Interit? Nuk punoj me ‘nëse’ apo ‘sikur’, në këtë moment jam shumë i kënaqur dhe krenar që punoj për Lacion. Sabatini iku nga Interi? Do ketë pasur arsye të forta për t’u larguar, por nuk gjykoj dot, sepse nuk e njoh mirë situatën”.