Tare: Kampionati shqiptar vendoset në tavolina, ky imazhi fatkeq!

Sot është një nga drejtorët sportivë më të lakmuar në Itali dhe jo vetëm, për punën që ka kultivuar dhe rezultatet që kanë përmirësuar bilancet e Lacios, pasi basti i Lotitos për t’i dhënë vend në skrivani ishte mëse fitues. Italia i ka hapur dyert si futbollist dhe si personazh të rëndësishëm, ndërsa në intervistën e dhënë për “RTSH Sport”, për gazetaren Hygerta Sako, ka folur për karrierën në fushë dhe jashtë saj, për fillimet, por edhe për futbollin shqiptar, trajnerët dhe sidomos skandalet e tolerimeve apo kontributin që mund të japë në të ardhmen…

Çfarë mban mend nga e kaluara e hershme historike?

Nostalgji pafund. Për klubin Partizani, për atë fëmijëri shumë të bukur që kam kaluar, në atë periudhë gati 8-9 vjeçare që kam pasur mundësi të luaj te Partizani dhe me trajnerë të përgatitur si Shaqiri, apo Fagu. Më vonë, me ekipin e parë, Starova e Lika. Eksperiencë e formimit tim si futbollist shumë pozitive, që më vonë në karrierë më ndihmoi shumë.

Kompleks sportiv shumësportësh në atë kohë. Ju e keni parë mirë edhe për shkak të babait tuaj. Ju vjen keq që nuk ekziston më?
Kanë ndryshuar shumë gjëra, një nga ato edhe ai klub sportiv. Shumë e gabuar për çfarë ka ndodhur. Nuk dua të futem se janë çështje politike. Keqardhje e madhe kur mora vesh lajmin që është kthyer në ambjente banimi.

Transferimi në Serinë A, te Breshia…
Ishte lëvizje e dëshiruar. Për çdo futbollist, të luaje në kampionatin italian, ishte ëndërr e madhe. Mosha që u afrova unë në Itali ishte e madhe, relativisht, pasi 27 vjeç. Emocion i jashtëzakonshëm dhe nuk e harroj debutimin në Serinë A, ndaj Milanit, me fanellën e Breshias.

U desh shumë punë që të ngjiteshit në hierarki, duke qenë debutues, apo jo?
Imazhi i shqiptarëve, në atë kohë, ishte njerëz të vegjël, të zinj… Kur shkova unë, i gjatë, biond, u befasuan dhe mbaj mend kur spikeri tha emrin tim dhe të gjithë bënë “ëoë”, sepse ishte çudi e madhe. Sfidë e madhe për mua, pasi ishte karshi skepticizmit dhe shumë dyshimeve që kishte atëherë karshi shqiptarëve. Përgjegjësi e madhe t’ia dilja me sukses.

Konkurrencë me Luka Tonin, që ishte në lulëzim. Ia dolët mbanë…
Atë vit luanim bashkë në sulm dhe në fund e fitova unë sfidën, pasi u bëra titullar.

Karlo Macone, sa ka ndikuar te ju si trajner?
Macone është një legjendë e futbollit italian. Për fat të keq, kur e shoh tani, në këtë brezin e fundit të trajnervëe, ai ishte i shkollës së vjetër italiane. i vrazhdë në marrëdhënie, por edhe prezent në formimin tënd si futbollist. Edhe pse isha 27 vjeç, aty nisa të njoh aspektin e vërtetë të fjalës profesionist, e të qenit i tillë, në Itali. E kujtoj me nostalgji sepse ishte raport “dashuri dhe urrejtje” mes nesh.

Pjesë e të njëjtit ekip me Guardiolën dhe Baxhion. Si jeni ndjerë?
Impakt nervoz në fillim. Në atë periudhë, Breshia ishte e madhe, sepse luante Pirlo, Luka Toni, Guardiola, Bakini që vinte nga Juventusi. Skuadër me ambicie të mëdha. Gjëja më e çuditshme që vura re dhe më vonë u bë udhërrëfyese, ishte thjeshtësia e tyre. i bënte edhe më të mëdhenj në sytë tanë.

Ke ende komunikim me ata?
Me mesazhe. Me Guardiolën kemi një mik të përbashkët që ka qenë ish menaxheri i klubit dhe ai bën urën lidhëse, ku kalon mesazhet e ish-lojtarëve të ekipit. Shumë përgëzime kam marrë. Me Baxhion dy tre herë kam pasur mundësi. Ai është anti-futboll. Që në atë kohë ishte i lidhur shumë me gjuetinë. Ka edhe fermë të tijën në Argjentinë. Edhe kur kemi qenë bashkë, vëmendja e tij ishte gjuetia, futbolli ishte antistres.

Po flasim periudhën kur kryesuat listën e golashënuesve. Periudha më e mirë?
Jo. Më e mira ishte te Fortuna Duseldorfi në Gjermani. Isha në momentin më të mirë të karrierës ku shënova 28 gola në 1 vit e gjysmë. Nga emocionet, edhe sot jam i lidhur me atë qytet dhe klub, e kujtoj me nostalgji. E kam si periudhën time më të bukur.

Ke shënuar gol ndaj Juves, Milanit dhe Interit. Cili është i preferuari?
Goli kundër Juventusit, për vështirësi. Lodhje psikologjike shumë e madhe. E kujtoj sikur jam ende në fushë. Juventusi shumë i fortë, na duhej fitorja. Mbaj mend kur kërceva, më dukej sikur isha 200 metra larg portës.

https://www.facebook.com/356896164486027/videos/1009432472565723/

I shënuat Xhixhi Bufonit. Si e përcaktoni si figurë?
Simbol i një brezi të artë të futbollit italian. Me të vërtetë një ambasador i jashtëzakonshëm. Karriera e tij ende në nivele të larta dhe flet vetë për profesionistin dhe dedikimin, që i dha jetën këtij sporti. Të mbash nivele të tilla të larta këtë moshë, është mënyra se si ti e jeton si profesionist.

Macone zgjidhet trajner i Bolonjës dhe ju merr me vete. Si ndodhi?
Ishte zgjedhje që bëra për raportin që kisha me trajnerin. E përsëris, raport “Dashuri dhe urrejtje”. Ka mbijetuar respekti mes nesh, gjithmonë. Kur më mori në telefon nga Bolonja, më tha “kam dëshirë që të flas me atë luftëtarin që kisha te Breshia, sepse dua që të më ndjeki pas, sepse kam nevojë për njerëz si ty”. Vlerësim i jashtëzakonshëm për mua.

Derbi ndaj Parmës solli edhe golin tuaj… U bëtë edhe beniamin për tifozët e Bolonjës. Si e mbani mend atë derbi?
Me trishtim, sepse ishte ndeshje mbijetese, playout. Ai gol ishte vendimtar, sepse fituam në Parma 1-0, por fatkeqësisht humbëm në kthim në Bolonja dhe ramë nga kategoria. Momenti më i trishtuar, sepse kurrë nuk e kisha provuar ndjenjën e rënies, sidomos me një ekip që 1 muaj e gjysmë përpara ishte skuadër që ndodhej e gjashtë dhe flitej për Europën. Çdo gjë negative ka një pozitive, pasi ajo gjë më çoi te Lacio, në Romë.

Si ishte eksperienca në “Dall’Ara”, Bolonja?
Ajo është një nga eksperiencat më të bukura, emocionohem sa herë kthehem aty në stadium. Të gjithë njerëzit më përshëndesin, me përqafojnë. Ndjehem në siklet se largimi ishte në një moment negativ. Por ajo që dhashë dhe vlerësimi nga ana e tyre më bën të ndjehem krenar.

Ju kaluat te Lacio, por Macone nuk ishte dakord ndoshta, sepse romanist…
Macone në atë periudhë sapo la karrierën e trajnerit, u largua përfundimisht nga bota e futbollit dhe ai afrim te Lacio ishte më tepër aksidental se sa i kërkuar. Por kam një lloj keqardhje se pata këtë mundësi në momentin e gabuar të karrierës, se kur erdha isha 32 vjeç, drejt fundit të karrierës si futbollist dhe do të kisha dëshirë të jetoja më i ri, si ishte koha e Strakoshës, Berishës, apo Canës.

Çfarë mund të thoni për raportin me presidentin Lotito?
Absolutisht po, se isha më i formuar nga ana profesionale, si futbollist e njeri dhe raporti që kisha me skuadrën dhe presidentin, u konsolidua çdo vit derisa arritëm në një zgjedhje të çmendur që u bë atëherë me ofrimin e postit të drejtorit sportiv.

E prisnit ofertën që ai ju parashtroi?
Nuk e prisja se nuk kisha asnjë lloj formimi për këtë profesion dhe ajo ide e tij ishte e çmendur.

Çfarë menduat kur e propozoi?
I thashë “të lutem mos u tall, nuk ka logjikë të jem drejtor i klubit”. Fjalët e tij ishin domethënëse. Ai tha “kjo është dera, të jap mundësinë të dalësh e të futesh përsëri në një klub të madh. Është në dorën tënde nëse do ta mbash derën hapur, do të isha shumë mirënjohës, për atë që po të mundësoj, karshi një djali pa eksperiencë, por që shpresoj që do ma shpërblesh”. Kur mendoj se si rrodhën ngjarjet, ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme, por sfidat kanë qenë ato që më kanë tërhequr gjithmonë.

E ndjek kombëtaren dhe çfarë munë të thuash?
E ndjek me vëmendje. E ndjek Kombëtaren dhe Superligën gjithashtu. Dua të jem në kontakt me futbollin shqiptar. Por nuk dua të komentoj gjërat kur nuk i njoh mirë nga brenda, sepse do të ishte diçka e gabuar. Kombëtarja ka pasur arritje shumë të mirë, si falë punë së De Biazit. Me Panuçin ka një ndërrim gjeneratash dhe duhet kohë dhe besim.

A ka ardhur koha që një trajner shqiptar të marrë Shqipërinë, mbajmë mend Hasin për shembull?
Hasi e kishte shansin për të qenë trajner i Kombëtares, por zgjodhi një tjetër destiancion. Trajnerët në Shqipëri janë rritur, si për shembull Skënderbeu me Josën dhe Dajën. Për Kombëtaren e Shqipërisë, ende nuk janë në atë nivel trajnerët shqiptarë, por pse jo, me besim mund ta arrijnë”.

Krahasimi mes gjeneratës tuaj dhe asaj tani te kombëtarja?
Gjenerata ime, ishim të formuar në Shqipëri, por nuk mund të krahasohet me gjeneratën aktuale. Periudha jonë ka qenë aventureske. Ne nuk patëm mundësi të ishim në këtë kohë. Jam i bindur se do të bënim më shumë. Por, nuk mund t’i heq vlerat gjeneratës aktuale. Në atë kohë, Kombëtarja jonë ka pasur lojtarë që luanin në ekipe shumë të mira jashtë, ashtu si tani. Por ne nuk kishim infrastrukturë dhe këto kushte si tani.

Dënimi i Skënderbeut, ndjesia juaj?
Ndjesi negative. Pata mundësinë në një bashkëbisedim me një komision nga Liga Italiane ku na shpjegonin mënyrën si mund të manipuloheshin ndeshjet dhe morën shembull Skënderbeun. Isha para skuadrës dhe ishte ndjesi negative. Nuk dua ta besoj që është e vërtetë, por për imazhin e kampionatin shqiptar ekzistojnë. Në kampionatin shqiptar, sidomos në 2-3 muajt e fundit, nuk ia vlen të shkosh në stadiume, sepse vendosen në tavolinë dhe jo në fushë. Interesa politike e të tjera. Kjo është ajo fatkeqësia, ajo që më largon nga futbolli shqiptar, sepse me këtë mentalitet, vështirë të ngjisim shkallët.

Keni thënë që “do të vijë momenti që të jap kontributin”. Pse e keni thënë?
Kjo është një dëshirë e imja nga zemra. Nëse vij në Shqipëri, kam vetëm çka humbas, nuk kam çfarë të fitoj. Do të vija për të bërë diçka më të mirë. Më është ofruar vendi për kandidat për president të FSHF-së, por e kam refuzuar, sepse e ndjej veten shumë të lidhur me fushën.

SEKRETET
“Sekreti i punës sime? Duhet t’i kushtosh gjithçka. Pengu im për sa i përket këtij profesioni është familja, sepse nuk më lë t’i kushtoj vëmendje familjes. Në periudhën e pushimeve verore, unë duhet të punoj më shumë, sepse është merkatoja. Modestia? Thjeshtësia të ndihmon në këtë punë. Sa më i thjeshtë të jesh aq më e lehtë është të analizosh punën tënde. 6 gjuhë të huaja? Flas më mirë gjermanishten, duke qenë se bashkëshortja ime është gjermane”.

DE BIAZI-PANUÇI
“Diferencën e bën mosha. De Biazi, kur ishte i ri ishte guximtar, më pas u bë trajner. Ndaj edhe Panuçi do të bëhet më i pjekur”.

ABAZAJ
“Kolegu im i Anderlechtit, më ka kërkuar një mendim për Abazajn. Mendimi im ishte vlerësim pozitiv për Abazajn. Ai ka karakteristika që mund të luajë në Itali por edhe në Angli”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online