Masimo Ambrozini ka komentuar afrimin e Igli Tares në rolin e drejtorit sportiv të Milanit. Ish-lojtari i kuqezinjve ka thënë për “DAZN”-in se Tare është një njeri serioz, që ka marrë siguri nga klubi për rolin e tij. Sipas Ambrozinit, drejtuesit kanë vendosur t’i japin autonomi drejtorit sportiv shqiptar, në mënyrë që të ushtrojë detyrën e tij.
“Ai është një person serioz me një kulturë të madhe futbolli. U befasova paksa nga mënyra se si Tare u zgjodh. Duket se kishte gjithashtu diskutime mes disa palëve të klubit. Tare nuk do të zgjidhë gjithçka, ai duhet të hyjë në një mjedis të veçantë. Nëse Tare pranoi, kjo ndodhi për shkak se ai është siguruar për rolin e tij. Nëse ata vendosën për ta marrë atë, për mendimin tim ndodhi sepse kanë për qëllim t’i japin një autonomi të caktuar, përndryshe nuk do ta kishim marrë”, ka thënë Masimo Ambrozini./Sport Ekspres/