Ditën e nesërme do të rikthehet edhe njëherë Superiorja, pas dy javësh ndërprerje për shkak të ndeshjeve që zhvilluan Kombëtarët. Kjo javë kampionati do të sjellë përballë dy ekipet e vetme që ende nuk kanë grumbulluar asnjë pikë deri në këtë moment. Bëhet fjalë për Luftëtarin dhe Flamurtarin, të cilët do të luajnë në Gjirokastër për tre pikët e para në këtë sezon.
Mbi këtë ndeshje ka folur edhe trajneri i Flamurtarit, Dritan Sadedini, i cili shprehet se kjo periudhë pushimi ka i ka shërbyer shumë skuadrës për t’u përmirësuar dhe për të konsoliduar grupin. Ndërkohë, trajneri i vlonjatëve është ndalur edhe te vështirësa që paraqet ndeshja e nesërme ndaj Luftëtarit.
“Futbollistët kanë marrë ngarkesën e duhur, jemi përpjekur që të mos i rëndojmë. Jemi përmirësuar në aspektin fizik, çka na ka dhënë mundësinë të punojmë edhe taktikisht. Ekipi është konsoliduar, jemi më mirë se para 10 apo 15 ditëve. Është ndeshje shumë e vështirë, sepse jemi dy ekipe me nga zero pikë. Shpresoj që ndeshja të jetë në favorin tone”, ka thënë Sadedini./Sport Ekspres/