Partizani ka pritur Bylisin në stadiumin e ri, të cilin e inaguron me fitore. Pas përfundimit të ndeshjes presidenti Demi ka folur për mikrofonin e “Oversport“-it, ku sigurisht që tema e diskutimit ka qenë kompleksi i ri i të kuqve. Kreu i klubit kryeqytetas shprehet se ajo që dikur ishte një ëndërr, sot është kthyer në realitet dhe fton tifozët të mësohen me distancën për të ndjekur klubin e tyre të zemrës. Në fund e mbyll me një dëshirë për të kthyer titullin kampion në këtë stadium të ri.
“Kompleksi dhe Stadiumi i ri ka qenë ëndërr dikur, ëndrra ka ikur, jemi në përfundim të projektit. Shpresojmë se do të shkojë diçka mirë, shpresojmë të ecin mirë të tjerat. Kërkesat ia kam dhënë vetes, nuk është se kam patur ndonjë kërkesë të madhe. Me ndihmën e dashamirësve kemi bërë këtë që është bërë deri tani, shpresojmë të mbarojmë kompleksin përfundimisht.
Mendoj se tifozët do të mësohen me distancën. Partizani është emër i madh, do të jetë ndeshja e parë kjo, një ndeshje e shpejtë. Menduam të mos vonohemi duke shpenzuar para, shpresoj të mësohen se nuk është edhe aq larg, 4,5 km nga qendra e Tiranës. Shpresojmë të jemi më të qetë në fushën tonë dhe stadiumi të na sjellë një krenari e sukses në të ardhmen. Shpresojmë shumë që ta kthejmë titullin në këtë stadium, duam të bëjmë mirë e të na ecë fati”, ka deklaruar Gazmend Demi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/