Atalanta do të sfidojë nesër Marsejën në “Velodrom” në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Europës. Gasperini ka deklaruar në konferencë për shtyp se ekipi i tij ka ngjallur më shumë besueshmëri në opinionin sportive pas eliminimit të Liverpulit, por thekson se favoriti në letër nuk ka asnjë vlerë përpara asaj që shfaqet në fushë. Trajneri i Atalantës ka thënë se ekipi i tij është në garë në të tre frontet, por përparësi ka pikërisht Liga e Europës.
“Roli i favoritit vlen pak. Ajo që ka rëndësi është se si luan në fushë. Për nesër kemi më shumë besueshmëri, sepse eliminuam Liverpulin. Por ne gjithmonë e fillojmë nga zeroja. Ky sezon është vërtetë i jashtëzakonshëm për ne. Kemi luajtur shumë ndeshje vendimtare si ajo e nesërmja. Të dy ekipet e meritojnë të luajnë në këtë gjysmëfinale të Ligës së Europës. Është e drejtë që ka një konsideratë dhe një vëmendje të madhe për të dyja. Jemi të përfshirë në të gjithë kompeticionet, por për momentin po mendojmë për këtë kompeticion. Ai përfaqëson përparësinë tonë”, ka deklaruar Xhan Piero Gasperini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/