Nga Klaudio Ndreca
Të jesh në mbrojtje gjatë gjithë kohës dhe të sakrifikosh lojën e bukur për të kërkuar rezultatin, është skema e përdorur që falet nga ana e tifozëve kur përdoret nga ekipet e vogla karshi atyre gjigandeve, që nuk mund të krahasohen kurrsesi me njëra-tjetrën. Por kupa u mbush me Atletiko Madridin në mbrëmjen e djeshme, duke e mërzitur këtë sport për të gjithë tifozët.
Në çerekfinalen e “Champions League” dhe pasi vinim nga shija e mirë e spektaklit që na la Atalanta-PSG, mbërrijmë në ndeshjen me një portë te Leipzig-Atletiko Madrid. Pavarësisht se ishin favorit në letër, ekipi spanjoll u kthye tërësisht në mbrojtje duke bërë një futboll të mërzitshëm dhe që në fund u ndëshkua, për t’u eliminuar.
E gjitha kjo falë trajnerit 33-vjeçar, Nagelsman, që në gjuhën metaforike mund të quhet si polici që ka arrestuar dy grabitësit e futbollit, Mourinjo dhe Simeone. Pikërisht dy trajnerët që janë gati të “shëmtojnë” futbollin për rezultatin që ata dëshirojnë, shpeshherë duke vendosur autobuzët në rastet e panevojshme. Të dy këta teknikë dhe ekipe janë kthyer në shtëpi nga Leipzig.
Tashmë ekipin që ka vetëm 11 vite që është formuar e pret një tjetër aventurë, në gjysmëfinalen e “Champions League” ndaj PSG. Atje trajneri Nagelsman do të gjejë mësuesin e tij, Tuchel, teksa ka marrë mësime prej tij kur ishte pjesë e të rinjëve të Augsburgut si futbollist, vetëm 19-vjeç. Dëmtimet e shumta bën që të hiqte dorë nga ëndrra për të bërë karrierë të madhe si lojtar, duke vazhduar në rrugën e trajnerit. Tashmë Nagelsman e gjen veten me një makinë “të modifikuar” dhe të bukur që ka rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve, duke u ftuar për një garë shpejtësie nga ana e mësuesit të tij, Tuchel, që ka një “Ferrari” në dispozicion.
Kjo do të jetë hera e dytë që Leipzig përballet me PSG, teksa në rastin e parë janë ndeshur në 2014 në një miqësore kur Leipzig ndodhej në ligën e dytë të Gjermanisë. Një ekip ky që u krijua për çudira pasi edhe në atë përballje ka fituar 2-1 me gjigandët francezë, që në takimet miqësore janë zakonisht të pamëshirshëm ndaj kundërshtarit. /Sport Ekspres/