Petrolul humbi ndaj Voluntarit 0-1 në javën e parë të sezonit të ri në elitën e Rumanisë. Menjëherë pas fishkëllimës së fundit, gjyqtari kryesor i ndeshjes, George Gaman ka shkaktuar një moment komik, duke i treguar kartonin e kuq drejtuesit të autobusit. Skuadra vendase u ankua për dy vendime të dyshimta të arbitrit. Në minutën e 22-të u anulua një gol për pozicion jashtë loje, për të cilin besojnë se ishte inekzistent dhe më pas u akordua një penallti të dyshimtë në favor të mysafirëve në minutën e 92-të.
Në fund mbërriti momenti për debatet e ashpra me arbitrin, i cili më pas nxori kartonin e kuq dhe ia tregoi…drejtuesit të autobusit të Petrolul, i ulur pranë pankinës së ekipit të tij. Së shpejti, në kurriz të arbitrit të hutuar nisën batutat e ndryshme dhe njëri prej tifozëve pyeti: “Pra, kush do ta drejtojë autobuzin ndeshjen e radhës nëse shoferi pezullohet?”. Një histori kjo jo pak komike që duhet t’ju mjaftojë rumunëve për të parë veten e tyre, përpara se të paragjykojnë të tjerët siç ndodhi me Lacin në vitin e shkuar dhe me Vllazninë në këtë vit, për shkakun e përballjeve me Craiovan. /Sport Ekspres/