Ka disa ditë që Skënderbeut i mungon mesfushori kryeqytetas Afrim Taku, i cili duket se nuk do të jetë edhe për pak ditë në Antalia. Ai ndodhet në Amerikë, ku ka mbetur “peng” i dokumentacionit. Por kur mund të bashkohet Taku me bardhekuqtë? Kësaj pyetjeje nuk ka ditur t’i përgjigjet as vetë lojtari, i cili për gazetën është shprehur: “Me thënë të drejtën, as vetë nuk di të them se kur do të bashkohem me Skënderbeun. Ishallah sa më shpejt të jetë e mundur, por edhe unë vetë nuk e di se kur do të rinovoj dokumentacionin”.
Taku lë kështu një pikëpyetje gjithçka të madhe, që e shqetëson stafin teknik të Skënderbeut. Ditët kalojnë dhe Taku vijon të stërvitet në mënyrë individuale në Amerikë, por sigurisht që faza dimërore është e rëndësishme për çdo futbollist dhe kryeqytetasi po e humbet atë. Bëhet fjalë për një lojtar të rëndësishëm të formacionit të Skënderbeut dhe ende nuk është e qartë se kur do të jetë në ekip. Trajneri Daja e pret sa më parë.