Presidenti i Skënderbeut takohet me Osmanin, Muzakën, Radasin etj. Disa janë më dilemë dhe ai po përpiqet t’ua mbushë mendjen të vazhdojnë me fanellën bardhëkuqe
Leonard Trebicka
Skënderbeu e ka kohën e nevojshme për përgatitjet verore, për shkak se nuk është në Europë. Po mendohet vetëm për sezonin e ri, më saktë për grupin e futbollistëve që do të ketë Skënderbeu i ardhshëm. Drejtuesit e klubit kanë filluar të lëvizin prej ditësh për të mbyllur sa më parë skuadrën e sezonit 2018-2019. Pavarësisht heshtjes për mediet, presidenti Takaj është duke punuar çdo ditë e më shumë në kryeqytet dhe në Durrës, ku po takon lojtarët një e nga një. Sigurisht, objektivi kryesor i tij është të bindë “senatorët” për të qëndruar te Skënderbeu të paktën deri në dhjetor, kur do të jetë mësuar një herë e mirë se çfarë do të ndodhë me CAS-in, me dënimin 10-vjeçar që ka dhënë UEFA. Nga 2-3 herë i ka takuar Takaj “senatorët”, ashtu siç ka bërë edhe dje, kur ka biseduar me Tefik Osmanin, Marko Radasin, Gjergji Muzakën dhe disa lojtarë të tjerë titullarë, që nuk kanë kontratë me korçarët dhe ende nuk e kanë bërë zgjedhjen e tyre përfundimtare. Nga burime pranë futbollistëve në fjalë bëhet me dije se deri në fund të javës që vjen ata do të kenë marrë një vendim. Në takimet e djeshme, Takaj u ka përsëritur të tijve ofertën e bërë të ditur që në takimin e parë: deri në muajin dhjetor do të paguhen me një pagë më të vogël, kurse nëse fitohet çështja në CAS, do të përfitojnë bonuse të larta financiare. Ky është propozimi, që nuk i ka bindur ende lojtarët me përvojë të korçarëve, pasi rreziku është i madh, duke qenë se janë në fundin e karrierës sportive. E kanë të vështirë ta pranojnë këtë ofertë, por Takaj vazhdon të ngulmojë.
LARGIMET – Disa titullarë nuk kanë pritur ofertën e Takajt, por janë larguar me “vrap” nga Skënderbeu. Eksodi te kampionët nisi Sabien Lilaj, që ishte largimi i parë, ndërkohë që më pas ka qenë Kristi Vangjeli dhe Gledi Mici që e kanë thënë troç se nuk janë më pjesë e Skënderbeut. Kësaj liste i shtohet edhe Ali Soue, që ka përfunduar huazimin dhe është kthyer te Kievo. Tashmë është radha e të tjerëve dhe lista mund të shtohet. Nga burime pranë drejtuesve të klubit korçar mësohet se mund të jenë deri në shtatë largime, që do të zëvendësohen me lojtarë të denjë dhe Skënderbeu do të luftojë sërish për titull.
EKIPI – Nëse disa prej “senatorëve” do të vendosin të qëndrojnë, do të ishte lajm i mirë për Skënderbeun në këtë moment. Tashmë është bërë e qartë se do të jenë në ekip lojtarët ende nën kontratë dhe janë mbi 13 ata që do të vijojnë të jenë të veshur bardhekuq. Po ashtu, mund të kthehen lojtarë që kanë qenë të huazuar dhe që nuk janë pak të shpërndarë në Kosovë dhe Maqedoni. Trajneri Shehi po mendon për disa prej tyre, por nuk ka vendosur përfundimisht se cilët do të jenë më të vlefshëm për Skënderbeun.
Javën e ardhshme fiksohen huazimet
Pak ditë më parë “Sport Ekspres” bëri të ditur se një pjesë e mirë e futbollistëve të Skënderbeut do të huazohen në skuadrat që luajnë në Europë. Disa titullarë që kanë kontratë me kampionët, do të huazohen te Laçi. Bregu është konfirmuar te gjirokastritet për ndeshjet europiane, ndërsa Enis Gavazaj dhe Xhejms Adeni do të bashkohen me Laçin. Europa për këta lojtarë do të shërbejë shumë si vitrinë, në mënyrë që më pas të shiten nga klubi. Nuk dihet ku do të luajë Bruno Dita, një tjetër lojtar që ka kontratë dhe që Skënderbeu po përpiqet ta shesë ose ta huazojë. Drejtuesit e ekipit vazhdojnë të bëjnë llogari për të shtuar sa më shumë fitime.