Presidenti i Skënderbeut mbi sfidën me Partizanin: “Nuk vendos asgjë, por nëse do të jemi ata të Europës, jemi shumë të fortë për këdo. Premio? Më vjen zorr, janë mësuar mirë…
Sot është një sfidë e rëndësishme ndaj Partizanit në kampionat, por presidenti i Skënderbeut, Takaj, i ftuar në “Supersport”, te “Zona Gol”, bën skanerin e asaj që ka qenë deri tani me klubin korçar, nisur nga zhurma e episodeve me arbitrat, por edhe të ardhurat, rivalët për titull, por edhe historia se si lindi projekti dhe gjithçka… “Për ne nuk vendos ndonjë gjë të madhe ndeshja e nesërme. Nëse do jemi ata të Europës jemi shumë të fortë për Partizanin dhe çdo kundërshtar. Por kjo është një ndeshje e fortë dhe nuk i dihet rezultatit përfundimtar”. kështu e nis Takaj diskutimin e tij, duke vijuar më pas.
Gjyqtarët – “Frymëzuar” nga ndeshja Valencia-Barcelona 1-1, ku një episod që nuk u vlerësua siç duhej nga arbitrat (goli i Mesit në pjesën e parë, pasi topi kaloi vijën fatale dhe nuk u akordua), presidenti i Skënderbeut foli për “zhurmën” mediatike por jo vetëm, në lidhje me arbitrat shqiptarë dhe opinionin publik: “Futbolli është i njëjtë në të gjithë botën, të njëjtat diskutime kanë kudo, të njëjtat probleme si në Shqipëri. Në Spanjë nuk iu quajt një gol Barcelonës por nesër nuk ndodh asgjë. Në Spanjë nuk diskutohet arbitri për një penallti. Këtu bëhet sikur çështjet janë të mëdha, këtu flitet për shumë penallti që mohohen, 3 nga një skuadër e 4 nga një tjetër. Në çdo ndeshje ka penallti të mohuara, të dhëna e të padhënë. Mendoj se Federata duhet të vendosë rregulla të forta, nuk mund të dalë çdo njeri të akuzojë, se ne e prishim me duart tona futbollin”.
Të ardhurat – Një tjetër temë e prekur nga kreu i klubit korçar ishte edhe financa… Në fakt, ai ka kritikuar dhe akuzuar faktin se me përfitimet në Shqipëri nuk del as sa për gjysmën e sezonit: ““Të ardhurat e të drejtës televizive janë qesharake, janë 78 mijë euro për ekipin kampion. FSHF jep 100 milionë lekë që nuk plotësojnë rrogën për dy muaj. Të ardhura nga sponsorët nuk ka sepse prandaj fola për arbitrat e baltosjen. Duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të jemi të interesuar ta mbrojmë imazhin se asnjë sponsor nuk afrohet. Vetë ne jemi të papërgjegjshëm, flasim në nervozizëm, edhe unë kam folur. Por duhet ta vendosim një rregull, ta mbrojmë këtë produkt dhe ta çojmë në nivelin që është realisht. Askush nuk ka sponsorë, nuk ka publicitet në stadiume. Shkaku jemi ne, Superliga e Kosovës sponsorizohet, më thoni kush sponsorizon Superligën shqiptare që është në nivele më të larta, është shumë më e fortë në Ballkan?”.
Rivaliteti – Ndërkohë, mbi ekipin rival për këtë sezon, nisur edhe nga ndeshja sot ndaj Partizanit, ai tha: “Partizani dihet se është për trofe dhe është shumë i fortë. Ka qenë kështu këto vite dhe ashtu është edhe këtë vit. Edhe këtë periudhë me probleme mund ta përjetojnë të gjitha ekipet. Them se do ta kalojnë krizën se janë një klub i madh që di të menaxhojë vështirësitë. Flamurtari? Kemi parë se rezultatet e Flamurtarit dhe loja, nuk do shumë të kuptosh që kanë bërë ekip shumë të mirë dhe do të jenë konkurrues deri në fund. Kjo është e dukshme. Premio për fitoren me Partizanin? “Nuk ka premio se sado t’ia vendos, i duket qesharake. Janë mësuar me premio të mëdha nga Europa, po të vendosim, na vjen zor edhe ne se janë të vogla. Para dy vitesh, kur i vumë një ndeshje 20 milionë lekë filluan duke qeshur, u tërhoqëm, nuk ia dhamë fare”.
Europa – Skënderbeu ka shkruar historinë në Europë dhe Takaj kthehet vite mbrapa, kur lindi gjithçka: “Në momentin që kemi marrë Skënderbeun, isha bashkë me Zeqon, futbolli në ato momente ka qenë i mjerë, pa perspektivë, nuk kishte rrugë të shihje financa për futboll, ishte gropë që duhej të shpenzoje për të mbajtur një futboll që ishte fondacion bamirësie. Por bamirësi argëtimi, jo për të ndihmuar familje në nevojë. E provuam forcën dy vite me Zeqon, ajo që më ndezi ishte ndeshja me hungarezët e Debreçenit. Aty matëm forcat me një ekip hungarez dhe mendova që çdo gjë është e mundur dhe në Europë. Një vit më pas iku Zeqo dhe mbeta vetëm, i hyra punës duke menduar që mund ta fus në efiçencë këtë lloj biznesi jashtë çdo logjike financiare.
Eksperienca në vitin e parë ku u eliminuam me penallti ishte e madhe. E kuptuam se ku ishim por nuk ishim matur dhe nuk i kishim shkuar gjërave deri në fund, vendosëm që të arrijmë grupet. Ishte bast me veten që do arrinim grupet, u dënuam me BATE me gol në fushë kundërshtare, por erdhi viti pasardhës dhe e arritëm. Sot mundin Dinamon e Kievit në grupet e Europa League, kështu që mund të them se jam i kënaqur me nivelin se ne përfaqësojmë futbollin shqiptar, e di mirë se sa e vështirë është nga ana financiare të mbash klub në Shqipëri”.