Një skandal i madh ishte vendimi i marrë nga Ministria për Punët e Jashtme që i ka shfuqizuar pasaportat diplomatike Kombëtares Shqiptare, që ua dha në shenjë mirënjohjeje pas kualifikimit në Europianin e Francës. Papritur “heronjtë” përfunduar në ca “shtetas të këqinjë” që kanë njollosur imazhin e vendit dhe nuk janë të denjë për t’i mbajtur më ato pasaporta.
Akoma edhe më keq është reagimi i ardhur nga Ministria Xhaçka, e cila u shpreh se u krijua shumë zhurmë për asgjë pasi thjeshtë ka skaduar vlera e pasaportave diplomatike siç ndodh me çdo mjet tjetër identifikimi, por nuk ka asgjë më shumë se kaq. Në një intervistë për “Panorama Sport”, De Biazi shprehet se vlera e pasaportës skadon në 2026 dhe nuk e kupton ende se ku i ka bërë të keqen Shqipërisë.
“Shikoni, dhënia e atij dokumenti është një shenjë mirënjohjeje apo vlerësim i shtetit kundrejt shtetasve të tij. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje, as nuk ia kam njollosur kurrë imazhin e Shqipërisë diku, përkundrazi mendoj se kam punuar mirë për sa kohë isha aty dhe kam folur vetëm mirë për Shqipërinë sa herë që më është dhënë rasti. Kam vepruar kështu sepse këtë kam ndier, vetëm dashuri, respekt dhe mirënjohje nga Shqipëria dhe shqiptarët. Por, nëse tani më kërkojnë që ta kthej mbrapsht atë dokument, natyrisht që më lë një shije të hidhur. Nuk gjej motiv. Pse duhet ta kthej mbrapsht pasaportën diplomatike kur ajo skadon pas 5 vitesh? Më duket pa kuptim…
Do të kërkoj shpjegime patjetër. Është një gjë që më bezdis shumë, sepse e konsideroj si një mirënjohje atë veprim dhe tani befas ma kërkojnë mbrapsht. Unë nuk i kam bërë asnjë dëm dhe asnjë të keqe Shqipërisë pasi mbarova kontratën e punës aty. Atëherë i bie që duhet të kthej mbrapsht edhe titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” që më është dhënë nga Presidenti i Republikës asokohe? Më thoni pak, a ka kuptim kjo…?
Fjalët e Ministres Xhacka? Po jua përsëris edhe një herë: pasaporta ime diplomatike skadon në vitin 2026. Zakonisht ky lloj dokumenti kërkohet t’u rikthehet mbrapsht autoriteteve shtetërore kur personi që e disponon ka kryer shkelje ligjore apo ka njollosur imazhin e vendit të tij me veprime të ndryshme. Unë nuk kam bërë asnjë nga këto. Deri tani nuk kam asnjë njoftim, por nëse do të më kërkojnë vërtetë të dorëzoj pasaportën që më skadon pas 5 vitesh, pa dyshim që do të kërkoj shpjegime”, u shpreh De Biazi. /Sport Ekspres/