Lorenc Jemini duket se është bërë nostalgjik dhe kujton të shkuarën e tij si arbitër me anë të një fotoje të postuar në rrjetin e tij social të “Facebook”, ku shfaqet duke këshilluar ish sulmuesin e Partizanit, Ekuban. Ndërkohë, përshkrimi që ka zgjedhur për këtë foto është fjala “sust”, si për të treguar edhe mënyrën se si i rrinin futbollistët në fushën e lojës, duke shfaqur kështu edhe autoritetin që ai ka pasur gjatë arbitrimit.
Por nuk kanë munguar replikat nga futbollistët, teksa lojtari i Bylisit, Ditmar Bicaj, ka lënë komentin e tij mbi këtë postim. Sipas tij Jemini është treguar më i butë me lojtarët e huaj, duke mos i trajtuar me të njëjtën rreptësi si shqiptarët. Të paktën kjo nënkuptohet nga komenti i Bicajt, që konkretisht ka shkruar: “Sa me hatër i ke mbajtur këta lojtarët e huaj”. Komenti shoqërohet gjithashtu edhe nga disa emoji që tregojnë se është brenda kontekstit të shakasë./Sport Ekspres/