Do t’iu tregoj një barcoletë… “Na ishte njëherë kampionati shqiptar dhe ata që luftonin kundër gogolit… Por, gogoli në fakt ishte banor i atij fshati…”
Anton Cicani
Prej vitesh, të gjesh rezultatet e Superligës shqiptare në javët e fundit është si të fitosh lotarinë pasi dikush të ka thënë numrat magjik… Dhe, sërish ka habi! Trajnerët paraqiten përpara gazetarëve dhe, ata që janë në anën e fituesit dhe jo toleruesit, thonë praktikisht “nuk ishte e lehtë!”. Ndërsa, ata që kanë humbur, ose lënë të flasë zëvendës trajneri, ose nuk prononcohen, ose dalin të thonë fjalë të tipit “skuadra u çorientua totalisht, nuk e kuptoj”. Presidentët bëjnë të fortët dhe paralajmërojnë gjoba. Po gjoba për çfarë? Për një urdhër të tyre?! Jo, sepse kështu është të bësh “virgjëreshën” kur në të vërtetë atë cipë që ke pasur e ke hequr që në fillim dhe më pas është thjesht zgjedhje e partnerit… Mjaft me hipokrizi! Mjaft me fjalë boshe. Superliga shqiptare është kthyer në estradë vitet e fundit, ku ata që rrezikojnë të mbyten, çuditërisht, gjejnë gjithmonë anijen e shpëtimit, ndërsa ata që ndodhen në breg, ndonjëherë e gjejnë veten në mes të oqeanit, ashtu si papritur e pakuptuar, edhe pse llogarinë dinë t’i bëjnë mirë.
Aleanca? Jooooo! Askush nuk ka aleanca. Thjesht një kafe, një telefonatë, një premtim, një ndërhyrje politike dhe një pakt i pashkruar. Në fund, nëse një futbollist nuk di asgjë, ai zëvendësohet, sepse fundja pse të kryqëzohet më pas. i quajnë emocione, ato që jep futbolli, por ky vetëm futboll nuk është. Sot, përveç fushës së Kamzës, në të tjerat është bërë stërvitje. Pikërisht kështu! Trajnerët paguhen edhe për këtë gjë, të dalin të flasin, të mbulojnë m… me sh…, por tifozët shohin gjithçka, sepse fundja nuk jemi në epokën e gurit apo shpellave.
Dikur lexohej shtypi i shkruar për të parë çfarë kishte ndodhur, ose shkoje në stadium, tani sheh çdo gjë në çdo këndvështrim, në portale, televizione e kështu me radhë. A po, është edhe kategoria e atyre: jua thashë që do të dilte kështu?! Dhe, kur ajo ndeshje nuk del ashtu, dalin të thonë “e ka inat këtë skuadër”. Në fund, “virgjëreshat” shkojnë te doktori dhe qepen, për të rifilluar një tjetër sezon…