Superkupa e Italisë, Arabia “pasuron” Milanin dhe Juven

Liga e Serisë A dhe General Sports Authority (GSA), enti qeverisës përgjegjës për sportin në Arabinë Saudite, zyrtarizuan akordin për të zhvilluar në shtetin arab Superkupën e ardhshme të Italisë. Sfida mes Juventusit dhe Milanit, dy nga më të rëndësishmet klube të futbollit italian, do të zhvillohet më 19 janar 2019, edhe pse data ende duhet të zyrtarizohet.

Akordi u formalizua dhe ratifikua në Zyrih nga Administratori i Deleguar i Ligës së Serisë A, Bruneli, dhe presidenti i GSA, Turki bin Abdel Muhsin Al-Asheikh, në prani të përfaqësuesve të dy klubeve, Co-Chief Revenue Officer, Xhorxhi Riçi për Juventusin dhe Chief Communications Officer Fabio Guadanjini për Milanin. Ky akord i nënshkruar parashikon zhvillimin në territorin e Arabisë Saudite të tre edicioneve për pesë vitet e ardhshme.

Administratori i Ligës së Serisë A, Bruneli, komentoi kështu pas firmave: “Jemi krenarë dhe të lumtur për interesin e manifestuar për Superkupën e Italisë. Një merkato e rëndësishme si Arabia Saudite dëshmon praktikisht se futbolli italian ende tërheq në të gjithë botën. Vlerësimi dhe promovimi i brand-it tonë kalon nëpërmjet këtyre akordeve, të nevojshme për të favorizuar mbërritjen e investitorëve të rinj në kampionatin tonë”.
Trofeu do të dorëzohet larg Italisë për të dhjetën herë: në të shkuarën, Superkupa është zhvilluar në Uashington, viti 1993, Tripoli 2002, Nju Jork në 2003, në Pekin në tre edicione (2009, 2011 dhe 2012), në Doha në dy raste (2014,2016) dhe në Shangai në 2015).

Përfitimet – Për tre edicionet e Superkupës së Italisë, do të përfitohet rreth 20 mln euro. Sakaq, nga finalja e parë, Milani dhe Juventusi do të përfitojnë rreth 3 mln euro për kokë, ndërsa 700 mijë euro do t’i shkojnë Ligës së Serisë A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *