Dinamo është duke kërkuar të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit shqiptar, pikërisht aty ku edhe i takon në bazë të historisë. Një rikthim i tillë, do t’i jepte më shumë bukuri kampionatit të Superiores sa i përket rivalitetit të fortë.
Por për të mbërritur deri këtu, futbollistët e drejtuar nga Allmuça kanë ende shumë për të punuar. Një dritë jeshile ka ardhur nga miqësoret e zhvilluara së fundmi, ku Dinamo ka mundur fillimisht Kikën me rezultatin 3-2, një ekip ky që konkurron në ligën e dytë të Kosovës.
Për të vazhduar me fitoren 8-0 ndaj Drinit të Bardhë, por edhe ato ndaj Partizanit B dhe Korabit me rezultatin 1-0. Një prej futbollistëve më të mirë në këto takime dhe që ka gjetur më shpesh rrugën e rrjetës, ka qenë Çeliku. Tifozët ëndërrojnë për ngjitjen e Dinamos në Superiore, por tani nuk është më vetëm një dëshirë, por detyrim për klubin që të rikthehet në nivelet më të larta. /Sport Ekspres/