Sulmuesi afrikan Onu la Beratin për Kavajën, menaxheri i tij: Ja si na mashtroi Tomori

“Drejtuesve ua bëmë të qartë detyrimet ndaj shtetit dhe në verë ata pranuan shlyerjen e tyre. Tashmë, për të kursyer financat, sakrifikuan sulmuesin nigerian Onu që e respektonte tërë tifozeria”

Edi Spahiu

Në Berat janë ndier zemërthyer kur kanë mësuar lajmin se sulmuesi i tyre kryesor Onu është larguar nga skuadra e Tomorit. Më shumë, trishtimi është ndier kur është mësuar se ai ka dalë në stërvitje me Besën, madje dhe është aktivizuar në ndeshjen miqësore që kavajasit luajtën ndaj Bylisit të Ballshit. Onu, për skuadrën e Tomorit ishte kthyer në një nga pikat më të forta, pasi me shpejtësinë e tij si një nga karakteristikat më të veçanta, si dhe me golat e shënuar apo rastet që krijonte para portave kundërshtare, e kishin kthyer në një idhull për tifozerinë. Largimi i tij, me të drejtë duket se ka “pikëlluar” tifozerinë beratase, por jo më pak ka shqetësuar edhe vetë skuadrën që e kishte si një pikë referimi nigerianin në të gjitha aksionet sulmuese. Por, po në Berat nuk kanë munguar zërat për të mësuar edhe shkaqet e vërteta të largimit të tij nga Tomori, aq sa me të drejtë fajësojnë drejtuesit e klubit dhe Bashkisë që nuk e mbajtën nigerianin. Shuma që nevojitej me këtë rast prej 160 mijë lekë të reja, ishte realisht një shifër krejt e përballueshme për klubin beratas, që e nis vitin kalendarik 2018 me një buxhet të “majmë” prej 27 milionë lejë të reja.

REAGIMI – Mirëpo, mjaft interesante ka qenë së fundi, edhe një deklaratë e ish-mbrojtësit të njohur të Tomorit, nigerianit Çarls Ofoje që sot kryen detyrën e menaxherit të futbollistëve nigerianë në Shqipëri dhe jo vetëm. Duke qenë në të njëjtën kohë edhe menaxher i sulmuesit në fjalë ka sqaruar diçka më shumë për këtë rast. “Ka një të vërtetë të madhe që jo të gjithë e dinë në Berat dhe më gjerë, dhe që lidhet me arsyen e vërtetë të largimit të Onu nga Tomori. Mua si menaxher më duhet të sqaroj duke qenë i detyruar për të thënë të vërtetën, si dhe më së shumti në respekt të tifozerisë beratase. Qysh në verën e kaluar, kur Onu erdhi tek Tomori për shkak se unë ja sugjerova si skuadër dhe ambientin fantastik të tifozerisë, drejtuesit e klubit dhe në Bashkinë e Beratit ishin në dijeni të borxheve financiare që sulmuesi kishte për dokumentacionin ndaj shtetit shqiptar. Madje, interesante është se një nga zyrtarët e Bashkisë ka deklaruar në zyrat e klubit para se të nënshkruhej kontrata, se do ta paguante klubi beratas këtë detyrim për taksat e shtetit shqiptar, duke ditur edhe pagën mjaft të vogël që merrte në Burrel. Kështu që na vunë në “gjumë” derisa tani në një moment kur sulmuesi u ambientua tek Tomori, dhe në Berat e respektonin maksimalisht për atë që jepte për skuadrën, e “përcjellin” me marifet.  Ajo që mua më shqetëson më shumë, ishte mënyra e sjelljes së atij zyrtari të Bashkisë që tani bëri sikur s’mbante mënd nga premtimi që bëri për të marrë përsipër pagesën e sulmuesit ndaj shtetit shqiptar. Onu, te Besa ka ikur i vetëdijshëm se e donte shumë Tomorin por e lanë në baltë drejtuesit. Por, në këtë rast Tomori është shumë i humbur”, – ka thënë Çarls Ofoje, menaxheri i sulmuesit nigerian, Çinoso Onu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *