Suksesi i madh i Shkëndijës, Gjoka para takimit me Murinjon: Fati ynë i keq, donim të ecnim më lart

Shkëndija vazhdon të mbajë krenarinë shqiptare në “Europa League” duke vazhduar edhe më tej pasi mundën Botoshanin në shifrat 0-1. Goli fantastik i Ibrahimit ka mjaftuar që ekipi shqiptar i Tetovës të thyej skuadrën favorite në këtë takim. Në drejtimin e Ernest Gjokës, taktikat e këtij të fundit bënë që të mos ndiej shumë mungesa e Alimit që u ndëshkua me kartonin e kuq në minutën e 67, për të mos ndikuar në rezultat. Ndërkohë në intervistën e dhënë pas ndeshjes, ashtu siç raporton edhe “Supersport”, Gjoka ka shprehur keqardhjen për përballjen e radhës që do të kenë kundër ekipit të Murinjos, pasi Shkëndija do të përballet me Totenhem.

“Goli në minutat e para të jep mundësi për të kontrolluar lojën dhe pse jo të shënosh edhe të dytin. Duke pasur një lojtar i Besart Ibraimi, që është i paparashikueshëm dhe është një aset i klubit, mendoj që e zgjidhëm ndeshjen. Ishte një ndeshje shumë e egër, me një kundërshtar që vrapoi shumë. Zbatuam detyrat taktike, ndeshjet në Europë fitohen kështu. Mendoj që ishte i rëndësishëm pozitiviteti dhe sakrifica e skuadrës, të gjithë sot ishim të shkëlqyer, kjo fitore është vetëm për ata çuna, skuadra po vjen aty ku duhet.

Fati i keq i Shkëndijës është se në turin e 3-të do të kemi një nga ekipet elitare të futbollit europian, sepse pretendonim se mund të shkonim akoma dhe më lart. Alimi? Më vjen keq që nuk do të jetë pjesë e skuadrës. Bëri detyrën kur mori kartonin. Sakrifikoi për grupin. Të fokusohemi te kampionati, është e rëndësishme që skuadra të ngrihet gradualisht”, u shpreh Gjoka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *