Sukaj: E shpëtojmë Vllazninë, unë nuk e njoh frikën

Sulmuesi rikthehet në Shkodër pas 6 muajsh dhe premton angazhimin e tij maksimal për të ndihmuar kuqeblutë të dalin nga kriza

Gaspër Marku
Është prodhim “puro i futbollit shkodran”, por në karrierën e tij të pasur sportive Xhevahir Sukaj ka provuar të veshë uniforma të ndryshme, si në kampionatin shqiptar, dhe sidomos jashtë vendit ku spikat aktivizimi në futbollin turk dhe atë iranian. Së fundmi, në pjesën e parë të sezonit ishte pjesë e Partizanit, ndërkohë, që prej mesditës të së premtes, Sukaj është i Vllaznisë. Në prani të administratorit Astrit Gjyrezi, Sukaj ka firmosur kontratën e re që e lidh atë me klubin e futbollit “Vllaznia” deri më 31 maj të këtij viti. Sipas drejtuesve të klubit kuqeblu, ardhja e një lojtari të tillë me shumë vlera do të jetë një plus i madh, duke parë edhe problemet që skuadra ka patur me sulmin gjatë gjysmës së parë të kampionatit. Pas kryerjes së procedurave me drejtuesit e klubit ka qenë vetë Sukaj që është shfaqur përpara gazetarëve, ashtu si gjashtë vite më parë kur ai ishte pjesë e Vllaznisë. Dhe, pyetja e parë e gazetarëve është direkt për këtë fakt, gjë për të cilën flet me nostalgji. E bukur kjo pas gjashtë viteve. U bë një periudhë, që kam udhëtuar në shumë vende dhe ekipe të tjera. Dhe, tani erdhi një moment i duhur, i përshtatshëm, që me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin, që kam si lojtar, uroj dhe shpresoj t’i shërbej ekipit maksimalisht”, u shpreh Sukaj.

Vlerësimi për skuadrën
Rikthimi në Shkodër dhe luajtja me Vllazninë nuk përbën asnjë problem për Sukajn, sepse edhe gjatë kohës që luante për Partizanin, ai thotë se e ka ndjekur nga afër Vllazninë. Normalisht që e kam ndjekur, sepse kam luajtur me këtë skuadër dhe jam rritur këtu, por edhe për atë që normalisht, duke qenë pjesë e kampionatit shqiptar je më afër ekipeve konkurruese, dhe aq më tepër Vllazninë, thotë Sukaj, duke mos nguruar të përcjellë vlerësime për kuqeblutë. – Mendoj se është ekip i mirë. Normalisht do mbështetjen e duhur dhe që besoj se do të arrihen të gjitha. Kështu që mendoj se jemi tek pjesa e ekipeve të mira, prandaj kam ardhur me dëshirë të plotë dhe them se kam se çfarë të gjej. Ka lojtarë të mirë, drejtuesit janë në rregull, çdo gjë në rregull dhe shpresoj që të bëjmë atë që duhet. Unë kontratën me Partizanin e kisha. Isha në rregull atje. Dëshirën, që të them të drejtën e kisha për të ikur jashtë. I kisha mundësitë dhe i kam prapë, por duke parë edhe disa kushte familjare, që nuk na mundësojmë të lëvizim si më përpara, dhe duke parë edhe Vllazninë që nuk është në nivele shumë të mira, zgjodha një ambient shumë të përshtatshëm për mua, thotë Sukaj. I ngacmuar nga gazetarët në lidhje me largimin nga Partizani, ai sqaron: Unë ika për më mirë, me idenë që të largohesha jashtë vendit. Me drejtuesit e Partizanit jam shumë në rregull. I kam pasur dhe i kam prapë dyert e hapura tek ky klub. Unë kisha dhe kam edhe tani një ofertë nga Sepehani. E bënë ofertën, mora letrat dhe doja që të shkoja atje, por gjatë rrugës më devijuan disa gjëra dhe kështu e ka futbolli. Dhe duke pritur, kërkova, në skenë doli Vllaznia për këto gjashtë muaj, por pse jo edhe më tepër, sepse nuk i dihet se si merr futbolli. Ndodhi si ndodhi dhe prandaj jam këtu”.

Pa frikë, Vllaznia nuk bie!”
Në bashkëbisedimin që Sukaj bëri me gazetarët shkodranë, atij iu kërkua, që duke që qenë se ka një njohje shumë mirë të ekipeve të kampionatit shqiptar, a ka frikë se Vllaznia mund të rrezikojë rënie nga kategoria, nisur edhe nga pozitat në të cilën ndodhet. As që bëhet fjalë. Pjesa e frikës, tek unë nuk ndodh asnjëherë. Nuk jam karakterizuar kurrë në atë pjesë, sepse është profesioni im. Por, as Vllaznia nuk ka pse të ketë frikë, sepse ajo është një emblemë. Pavarësisht se ka pasur ndryshime, probleme dhe shqetësime, është ekip me personalitet. As që e mendoj dhe kam frikë që Vllaznia mund të bjerë në të dytën. Unë kam parë ndeshjet e Vllaznisë. Po marr një shembull, atë të ndeshjes në Korçë ku me vetëm një rast mund të shënonte dhe merrte rezultat pozitiv. Ishte 50 me 50, edhe te pjesa e lojës dhe e rasteve, prandaj nuk ndodh që të kemi frikë, sepse skuadra ekziston. Mandej, me dhjetë përqind kemi avantazh më shumë fanellën e Vllaznisë që na bën më të mirë se sa disa ekipe të tjera, shprehet ai, duke mos premtuar gjëra të mëdha. – Golat më tepër i dua unë se sa publiku, sepse është normale. Maksimalisht i premtoj se do të jem 100 për qind i përqendruar tek ekipi i Vllaznisë. Kaq, sepse golat i di më mirë zoti që është atje lart në qiell. Ju mund të kapni vetëm sezonin e kaluar, që një fitore e Vllaznisë me Tiranën, një fitore e Gjirokastrës me Kukësin, Vllaznia shkonte në vend të katërt apo të pestë. Unë mund të them se ne do të ikim nga kjo pjesa e rrezikut. Kaq mund të them, të tjerat ika lënë kohës dhe fushës së lojës ku jam i bindur se koha do të flasë për Vllazninë, theksoi Sukaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *