Asnjë gol në 180 minuta, Italia nuk shkon në Kupën e Botës! E pabesueshme, por e vërtetë, sepse edhe në sfidën e sotme nuk doli në dritë asnjë gol italian dhe për herë të parë pas shumë dekadash “axurrët” nuk marrin pjesë në kompeticionin që e kanë fituar 4 herë.
Nëse humbja në Suedi u vendos edhe nga fati i keq, me atë devijim në rastin e golit, sot Italia nuk mund të ankohet, sepse nuk ia ka fajin askush, përkundrazi, arbitri nuk i dha një penallti Suedisë në pjesën e parë.
Në 45 minutat e para skuadra e Venturës i tentoi të gjitha dhe pati disa raste për shënim, me Imobilen që nuk ia doli të shënonte, i vetëm me portierin.
Në pjesën e dytë tek Italia hynë ethet e eliminimit dhe mori fund, sepse nisi loja me krose të kotë, që Suedia i largonte pa problem.
Me kalimin e minutave tensioni u bë i papërballueshëm dhe përveç cilësisë, Italisë i mungoi edhe qetësia.
Eliminim i merituar, nëse nuk shënon asnjë gol në 180 minuta. Bravo Suedia, një skuadër që bëri maksimumin, me aq armë sa ka.