Ky Botëror na ka dhuruar shumë surpriza. Suedia pa diskutim që është një prej tyre, pasi nuk e kishte menduar askush që do të arrinte deri në çerekfinale. Largimi i Zllatan Ibrahimoviç kishte sjellë konfuzion te një pjesë e tifozëve suedez, të cilët nuk ishin të bindur nëse përfaqësuesja e tyre do ia dilte pa liderin e sulmit.
Tani, të gjithë duhet të jenë të sigurt për këtë Kombëtare, kjo Suedi nuk ka nevojë për lider, pasi forcën e ka tek grupi, që sot fitoi një biletë për në çerekfinale.
Për t’u veçuar fakti se është hera e parë që pas vitit të largët 1994 që arrin në këtë fazë të kompeticionin më të madh futbollistik në planet. Pa diskutim një surprizë e bukur. Po ashtu për të parën herë pas 60 vitesh Suedia nuk pëson gol në një ndeshje me eliminim direkt.
Suedezët tani presin kundërshtarin që do të kenë përballë në çerekfinale, që do të dalë nga ndeshja Kolumbi-Angli.