Mund të quhet mbrëmja e portierëve… Më në fund, Botërori foli edhe për ata, sidomos për ata, që shpesh i kritikojmë, shpesh u themi “të paaftë” dhe ndonjëherë i dashurojmë deri në vdekje. Roli i portierit është kështu, sot je hero, nesër një skarcitet. Etiketim që janë mësuar ata, që thjesht duan të presin sa më shumë, po që ndonjëherë faturën e një eliminimi ose kualifikimi e marrin plotësisht…
Ashtu si portieri i Monakos, Subasiç, i cili në llotarinë e 11-të metërshave u shndërrua në një superhero.
Dhe, teksa te Kroacia të gjithë prisnin spektaklin e yjeve, ajo që u pa ndaj Danimarkës ishte një vuajtje dhe një ndeshje që nuk kishte ndër mend të mbaronte. i frymëzuar nga dueli në distancë me Shmajkëll, Subasiç mori lavdinë, me tre pritje deçizive penalltish, që i dha biletën për në çerekfinale kroatëve.
Por, nuk ishte rastësi. Portieri i rritur në Kroaci dhe transferuar te Monako kur kjo skuadër luante në kategorinë e dytë (një histori e ngjashme me atë të Kasper Shmjakëllit me Leiçesterin), edhe dy vjet më parë (Euro 2016), ndaj Serxho Ramosit, bëri mrekullinë duke pritur penalltinë që i dha vendin e parë në grup Kroacisë.
Sonte, Modriç & Co i kanë një nder të madh dhe, nuk dimë nëse do t’ia shlyejnë, por e sigurt është që ai, Subasiç, do të vazhdojë të jetë një “normal”, që shndërrohet kur vjen momenti kritik.