Drejtori teknik Dzemal Mustedanagic, i shoqëruar nga specialistët e Sektorit të Ekipeve Kombëtare, ka zhvilluar mbledhjen e parë për këtë vit me trajnerët e ekipeve Kombëtare rajonale si edhe përfaqësuesit e Zyrave Rajonale. Në këtë takim Mustedanagiç u ka shpjeguar trajnerëve në detaje strategjinë e re, por edhe ka analizuar në detaje të gjitha zhvillimet e fundit nga grumbullimet dhe testimet që janë kryer në të gjithë Shqipërinë.
“Të gjithë trajnerët janë njohur me strategjinë e re që ne po implementojmë dhe jam shumë i kënaqur nga kjo fazë e parë grumbullimesh që kemi zhvilluar në të gjithë Zyrat Rajonale. Duhet të punojmë me seriozitet dhe bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin, duhet të punojnë në një linjë. Shqipëria ka talente dhe ne synojmë rritjen e elementëve brenda Shqipërisë, të zbulojmë lojtarë të talentuar, të punojmë fort me ta dhe t’i hapim rrugën për në Kombëtaren A.
Synojmë të rrisim numrin e lojtarëve nga ekipet shqiptare në Kombëtare. Nuk duhet të shikojmë moshën tek lojtarët, të grumbullojmë edhe lojtarë më të rinj se mosha e lejuar. Nuk duhet të humbasim kurrë talente rrugës, dhe nëpërmjet punës së mirë dhe të vazhdueshme duhet ti ndjekim çdo ditë, cdo muaj dhe çdo vit fazat e tyre të rritjes. Ne do t’i shikojmë lojtarët pesë herë më shumë sesa i kemi parë deri më tani”.
Mustedanagiç ka kërkuar që stafet kuqezi të këshillojnë trajnerët e lojtarët në klubet ku luajnë për mangësitë e tyre dhe të punojnë individualisht me ta. I pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili ka kërkuar impenjim maksimal nga të gjithë stafet e Zyrave Rajonale dhe trajnerët e ekipeve Kombëtare rajonale.