Strategji apo rastesi? Maqedonia hyn pa titullaret, kur nuk të hyn në punë vendi i parë

Mbrëmjen e sotme mbyllet ky edicion i Ligës së Kombeve, ku do të vendosen të gjitha verdiktet. Maqedonia e Veriut e përfundoi rrugëtimin e saj me Armeninë, në një “finale“ ku do të ndahej vendi i parë në grup. Fqinjët lindorë udhëhiqnin në krye të tabelës me një pikë më tepër se armenët, por në momentin kur i vevojitej qoftë edhe një barazim, merr rezultatin që më pak pritej.

Maqedonia e Veriut zbret në fushën e lojës pa disa prej emrave më të rëndësishëm të ekipit, si Pandev, Alioski, Bardhi, Elmas dhe Ademi, ndërsa në fund largohen me një humbje minimale 1-0 nga Armenia, duke lëshuar vendin e parë në grup.

Strategji apo rastësi? Asgjë nuk mund të thuhet me siguri, përpos faktit se vendi i parë nuk i hynte në punë askujt. Madje, ndoshta mund t’i bënte gjërat më të vështira për ta. Kualifikimi për në Botëror është thuajse i pamundur për Kombëtaret e Ligës C, ndërsa ngjitja në Ligën B do të sillte një nivel vështirësie më të madhe, duke komplikuar edhe planet për në Europianin e vitit 2024.

Me këtë rezultat Maqedonia e Veriut do të jetë edhe në sezonin e ardhshëm në Ligën C, nga ku do të kenë më tepër probabilitet për të përsëritur suksesin e këtij viti, që u finalizua me një biletë për herë të parë në një kampionat Europian, si ai i vitit të ardhshëm./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *