Lacio fitoi me shifrat 2-1 ditën e djeshme kundër Fiorentinës, por loja e bardhekaltërve nuk ka bindur aspak opinionin sportiv. Situata nuk është më e njëjtë si një vit më parë në kampin kryeqytetas, ku shumë gjëra kanë ndryshuar. Igli Tare, nga drejtori sportiv më i mirë në Itali, tani e sheh veten në qendër të krikitave për afrimet e bëra.
Përpos tij, edhe portieri Strakosha po kalon një moment jo të mirë, teksa humbi për shumë javë vendin e titullarit nga Reina dhe me rastin e parë që iu dha ditën e djeshme nuk shkëlqeu për të blinduar sërish katërkëndëshin e bardhekaltërve. Kjo gjendje e Lacios ka ndezur debate në Itali, ku për “Radio Radio Lo Sport“, ish-futbollisti Bernardini shprehet se nuk sheh shumë shpresë për të parë ekipin të mbërrijë në zonën Champions këtë herë.
“Mendoj se shumë pak do të bëhet në merkato, duke u nisur nga mohimet e drejtorit sportiv Igli Tare. Fjalët e tij nuk lëshë shpresa të mëdha, por Lacio nuk duket si një ekip konkurues për të mëdhatë e Europës. Dje ishte një lojë frike. Strakosha u hodh në fushë dhe bëri sërish disa gabime“, ka thënë ndër të tjera Emiliano Bernardini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/