“Unë nuk dua të fitoj pa lojë të bukur. Fitorja është gjithmonë e ëmbël, por duhet të dish si të luash futboll dhe të krijosh raste. Shqipëria na ka ndëshkuar më kot. Nuk kanë luajtur fare, sidomos pjesën e dytë. Vetëm topat te gjatë te Broja dhe kaq. Asnjë rast nuk kishin, i kemi falur ne golat”, u shpreh trajneri i Kosovës, Rafet Prekazi pas ndeshjes së mbyllur Shqipëri U-21-Kosovë U-21.
Me shifrat 2-1, këto rezultuan vetëm fjalë nervash nga Prekazi pasi statistikat tregojnë gjithë panoramën e parë në fushën e blertë. Në pjesën e parë kuqezinjtë kanë shpërdoruar pafundësisht raste, ndërsa Kosova shkoi vetëm njëherë rrezikshëm në portën e Selmanit me Kastratin.
Broja humbi dy raste të pastra, ndërsa dy të tjerat i takonin Xhixhës për t’u mos kordinuar saktë. Në pjesën e dytë kishte edhe një rënie të lojës nga Shqipëria, ndërsa Kosova po qarkullonte më mirë topin, megjithëse do të pësonte dy gola.
Sa i përket statistikave, Kosova ka realizuar me të vetmen gjuajtje në portë nga Baftiu. Dy goditje janë bërë në total nga dardanët e vegjël, ndërsa Shqipëria kishte 8 goditje dhe 5 në portë. E vetmja statistikë që flet për lojtarët e Prekazit ishte mbajtja e topit. /Sport Ekspres/