Champions League dhuron gola, spektakël dhe emocione të pabesueshme. Por, të jashtëzakonshme janë edhe rekordet që vendosen në turneun më të rëndësishëm të futbollit europian për klube. Shumë primate janë vendosur në ndeshjet e së mërkurës, ku buzëqeshin klubet italiane, por ka festë edhe për Lionel Mesin, Hari Kejn e mbi të gjitha te Paris Seint Zhermen.
2005 – Nuk ndodhte prej javës së pestë të edicionit 2005/06 të Champions League (22-23 nëntor 2005), që 4 skuadra italiane të regjistronin fitore brenda të njëjtës javë në fazën e grupeve të turneut. Roma mposhti Viktoria Plzen, Juventusi kaloi Jang Bojs, Interi fitoi me PSV dhe Napoli triumfoi ndaj Liverpulit.
2 – Mauro Ikardi është lojtari i parë i Interit që ka shënuar në dy ndeshjet e para të Champions League me fanellën zikaltër prej Adrianos në edicionin 2004/05.
271 – Me aktivizimin ndaj Liverpulit, Lorenco Insinje ngjitet në vendin e nëntë të klasifikimit të lojtarëve që kanë luajtur më tepër ndeshje me Napolin, në kuotën 271, duke kaluar Karlo Buskaljan. Goli i fitores në sekondat e fundit të kohës së rregullt ishte mënyra më e mirë për të festuar.
2005 – Liverpuli është viktima e preferuar e Karlo Ançelotit. Në pesë ndeshje përballë “Reds”, trajneri italian ka humbur vetëm në një rast, në finalen e Champions League të vitit 2005, kur drejtonte Milanin. Në Stamboll, Liverpuli fitoi me penallti, pas rikthimit të pabesueshëm nga disavantazhi 3-0.
0 – Kjo ishte humbja e parë e Liverpulit në fazën e grupeve, prej emërimit të Jurgen Klop në krye të stolit. Disfata u karakterizua edhe nga fakti se anglezët nuk arritën të realizonin asnjë goditje në portë për herë të parë prej shkurtit të vitit 2006.
8,000 – Erik Lamela realizoi rrjetën numër 8,000 në historinë e Champions League. Goli numër 7,000 në historinë e evenimentit ishte shënuar nga Angel Di Maria më 25 nëntor të vitit 2015.
27 – Klubet angleze janë viktima e preferuar e Lionel Mesit në Champions League. Ylli i Barcelonës ka realizuar 21 gola dhe ka dhënë 6 asist kundër skuadrave të ishullit; me tepër se përballë skuadrave të çdo shteti tjetër.
64 – Lionel Mesi ka realizuar 64 gol në 65 ndeshje të fazës së grupeve në Champions League. Rendiment i pabesushëm nga argjentinasi.
10 – Hari Kejn ka shënuar 10 gola në 12 ndeshje të luajtura në Champions League. Vetëm Adriano (11 ndeshje), Sadio Mane (11) dhe Roberto Firmino (11) kanë arritur të regjistrojnë shifra dopio më shpejt në këtë turne.
2 – Me një gol dhe një asist për Barcelonën, në vetëm 28 minuta lojë kundër Totenhamit, Filip Kutinjo ka barazuar paraqitjen e bërë përballë “Spurs” në 715 minuta të luajtura me fanellën e Liverpulit (2 gola).
5 – PSG ka fituar me diferencë prej të paktën katër golash në pesë raste në Champions League, prej fillimit të sezonit të kaluar. Më tepër se çdo skuadër tjetër në këtë aktivitet.
30 – Me tre golat e shënuar ndaj Crvena Zvezdës, tashmë Nejmar ndan kreun e golashënuesit më të mirë brazilian në Champions League me Kaka: të dy janë në kuotën e 30 golave.
16 – Kilian Mbape (12 gola dhe 4 asist) është përfshirë në mënyrë direkte në 16 gola të Paris Seint Zhermen, në 16 ndeshje ku ka luajtur si titullar për kampionët e Francës në Champions League.