Në 10 korrikun e këtij viti, Uejn Runi vendosi të hapte një kapitull të ri në karrierën e tij futbollistike, teksa u transferua në Amerikën e largët, konkretisht në radhët e DC Junajtid. Aventura amerikane për sulmuesin po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme, ku ekipi i tij për momentin ndodhet në zonën play-off, kur kanë mbetur dhe pak javë nga mbyllja e sezonit të rregullt.
Në kohën kur Runi u transferua në Amerikë, DC Junajtid ishte në vendin e fundit, në kuotën e 11 pikëve, ku pas 14 ndeshjesh e shihte veten me vetëm 2 fitore, 5 barazime dhe plot 7 humbje. Tani kryeqytetasit e shohin veten në kuotën e 44 pikëve pas 31 javëve të luajtura. Ky ndryshim drastik i formës së DC Junajtid, duket se e ka një shpjegim dhe ai është Uejn Runi.
Pikërisht anglezi 32-vjeçar duket i rilindur në Amerikë dhe së bashku me të duket e rilindur dhe DC Junajtid. Runi numëron 13 ndeshje të plota në lojë dhe bilanci i jep të drejtë anglezit. 9 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje, kur Uejn Runi luan për 90 minuta. Thënë ndryshe, që pas debutimit të Runit, DC Junajtid numëron vetëm 4 humbje në 17 ndeshje, ndërsa para se Runi të transferohej, amerikanët numëronin 7 humbje pas 14 javësh. Ndryshimi është i qartë dhe pritet të shihet se si do të shkojë pjesa e mbetur e sezonit për Runin dhe DC Junajtid.