Sukaj mbetet jashtë 11-shes. Asani programohet si titullar. La Kamera dhe Adorjan duken jashtë formacionit. “Bobi” nuk fut asnjë nga afrimet e verës
Dita e djeshme ka qenë mjaft e rëndësishme për stafin teknik të Partizanit dhe trajnerin Starova. Numri një i stolit ka zhvilluar një ndeshje kontrolli brenda grupit për të parë formën e skuadrës. Seanca stërvitore është zhvilluar në “Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare”, në Kamzë. Grupi i futbollistëve kanë nisur seancën stërvitore rreth orës 14:00 nën reshjet e shiut.
Trajneri i Partizanit zhvilloi një ndeshje kontrollit për të parë situatën e grupit para ndeshjes me Laçin dhe për të vendosur pikat mbi “i” në lidhje me formacionin që do të luajë nga minuta e parë e lojës. Tekniku Starova ndau skuadrën në dy ekipe.
NDESHJA – Ekipi i parë ishte i formuar nga lojtarët që mendohen titullarë për takimin ndaj Laçit. Mbrojtja përfshinte Ibrahimin në të djathtë, Atanda dhe Malota në qendër dhe Kalarin në të majtë. Risia e formacionit të tij duket se do të jetë Jasir Asani që mund të luajë nga minuta e parë, ndërsa Sukaj duket se do të qëndrojë në stol. Një tjetër ndryshim nga formacioni i Julianos është aktivizimi i Prognit. Ai do të luajë në rolin e mesfushorit, ndërsa Ibrahimi do të spostohet në të djathtë të mbrojtjes.
Takimi ka pasur mjaft rivalitet, pasi lojtarët kanë treguar agresivitet në fushën e lojës. Ndeshja ka nisur më mirë për formacionin, pasi që në minutën e 5-të, Progni ka dërguar topin në rrjetë. Një avantazh që nuk ka zgjatur më shumë se 7 minuta, pasi sulmuesi Sukaj ka barazuar shifrat. Shkodrani është rikthyer nga dëmtimi, ndërsa tani duhet të gjejë vetëm formën për të kapur vendin në 11-en e parë. Starova duket se do të luajë pa një sulmues të mirëfilltë në sfidën ndaj Laçit, pasi Sukaj do të jetë në stol. Xhixhiua dhe Basrak janë me valixhe në duar, ndërsa Bardhi do të jetë nga minuta e parë si “9”-ësh i fshehur.
Partizani1 – Partizani2 1-1
Shënues: Progni 5’ / Sukaj 12’
Partizani A: Xhika, Ibrahimi, Atanda, Malota, Kalari, Batha, Vila, Progni, Asani, Trashi, Bardhi ( U aktivizuan: Fili, Hida).
Partizani B: Haxho, Selvaxhio, Krasniqi, Uarlej, Kotobelli, La Kamera, Sulejmani, Adorjan, Xhixhiua, Fili, Sukaj. (U aktivizuan: Shahinas, Herrera, Basrak).