Starova, mes spastrimit dhe gjetjes së një pasuesi

Dorëheqja zgjati fare pak, por tashmë trajneri i kuq duhet të vendosë. Skuadra aktuale nuk meriton të konfirmohet sidomos pas turpit në Gjirokastër, e ardhmja është në dorë të Starovës

Partizani dhe Sulejman Starova formojnë një binom të pandashëm dhe nuk mjafton një dorëheqje në gjaknxehtësi e sipër nga trajneri, për të mbyllur rrugëtimin e përbashkët. Gaz Demi ka vendosur veton për ta kthyer në drejtim dhe Starova është bindur, por ndoshta nuk ka përfunduar me kaq. Në janar do të bëhet bilanci real i fazës së parë të sezonit dhe ndoshta atëherë Demi e Starova do të bisedojnë sërish për të ardhmen. Do të vendosë vetë trajneri i kuq: të vazhdojë të punojë duke reformuar skuadrën, apo të mënjanohet dhe të zgjedhje vetë pasardhësin e vet.

HAKMARRJA – Partizani i Gjirokastrës ishte për turp dhe Sulejman Starova pësoi disfatën më të rëndë si trajner, duke parë 11 lojtarë pa kokë e pa këmbë, që u dorëzuan totalisht ndaj Luftëtarit, skuadër fantastike për t’u parë, aq sa ishte turp të thoshe se Partizani lufton për Europën dhe Luftëtari për mbijetesë. Deri tani Starova e ka mbrojtur me shpatë grupin e tij besnik, atë që kishte sezonin e shkuar dhe që e riktheu pas largimit të Julianos. Megjithatë, shuplakat e marra në Gjirokastër me siguri kanë bërë edhe Starovën të mendohet mirë dhe të shohë qartë se skuadra aktuale nuk ka ku shkon. Duhen “prerë koka”, duhet një riformatim dhe janari nuk mund të konsiderohet zgjidhje e halleve, nëse merkatoja ndalet te Lukas e Telushi. Duhet të vijnë të tjerë, por mbi të gjitha duhet të largohen disa nga ata që konsiderohen titullarë prej vitesh. Starova nuk do ta harrojë lehtë këtë 5-0, që është një njollë në karrierën e tij si trajner.

E ARDHMJA – Nëse qëndron, Starova me shumë gjasa do të bëjë shumë ndryshime madhore në skuadër, por nëse largohet, do ta zgjedhë vetë pasuesin. Presidenti Demi e mirë që në aspektin teknik Starova është njeriu që njeh më mirë Partizanin dhe ai që di të identifikojë më mirë trajnerin pasardhës. Pista e huaj duket pa shanse, pasi deri tani gjithë trajnerët e huaj te Partizani kanë vuajtur, për një arsye apo për një tjetër. Nga vendi, emri më i mundshëm mbetet ai i Armando Cungut, trajner pa skuadër për momentin, i cili kërkohet nga disa klube dhe ka eksperiencën e duhur për të punuar në një klub si Partizani, sepse me Starovën ka pasur sukses edhe te Kukësi. Një alternativë tjetër do të ishte Gugash Magani, trajneri i cili prej kohësh po vuan në Durrës, ku e ka menduar disa herë largimin, pasi nuk po sheh të zbatohen si duhet idetë e tij, nga një skuadër me moshë të re dhe mjaft e brishtë e pa vazhdimësi. Natyrisht, ndarja me Teutën është mjaft e vështirë, por nëse Partizani i ofron stolin, gjithçka mund të ndodhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *