Idrizi: Arbitrat vetëm maja e ajsbergut, zgjidhjen do ta kërkojmë në Gjykatë 

0

Kreu i klubit “Flamurtari”: Gjyqtarët vijnë dhe përpiqen ta tensionojnë situatën artificialisht, por ta harrojnë se do të ketë incidente

Elton Nika

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ishte një nga njerëzit më të qetë pas ndeshjes me Laçin dhe ka dashur të flasë vetëm për ekipin, duke vlerësuar lojën e tij, pavarësisht humbjes. Ai është munduar të qetësojë madje edhe tifozët që po largoheshin nga stadiumi jo pak të irrituar nga gjykimi.

Në ato momente kreu i klubit vlonjat u shpreh se nuk ndihej i mërzitur, sepse skuadra luajti mjaft mirë, gjë që ia tha në sy edhe trajnerit Shpëtim Duro.

Një ditë më pas takimit me Laçin, që i është shtuar atyre ku Flamurtari është dëmtuar direkt nga gjykimi, administratori Idrizi sërish ka folur me qetësi, por këtë herë ka pranuar se klubi nuk po qëndron aspak në heshtje për situatën e krijuar. “Zgjidhjen, – ka theksuar administratori Idrizi, – do ta kërkojmë në Gjykatë. Kemi gati dosjen me materialin për gjithçka ka ndodhur me Flamurtarin. Ndoshta vetëm në Gjykatë mund të gjejmë zgjidhjen. Duhet kuptuar vetëm një fakt i thjeshtë: Nuk janë vetëm gjyqtarët shkaku apo problemi i kësaj situate. Ata janë vetëm pjesa që duket dhe që në Vlorë i dërgojnë për të tensionuar publikun. Por ta harrojnë se mund ta etiketojnë Vlorën si një qytet, ku nuk luhet futboll. Këtu nuk do të ndodhë asnjë incident asnjëherë, pavarësisht se shumë herë gjyqtarët janë përpjekur ta tensionojnë në mënyrë artificiale situatën. Nëse do të ishte një situatë tjetër, Flamurtarit do t’i kishin dhënë 10 penallti në favor, por nuk e dua këtë zgjidhje. Dua që gjithçka të jetë e drejtë dhe e paanshme, të fitojë futbolli i luajtur në fushë, asgjë më shumë se kaq. Por shumë shpejt do të flasim konkretisht. Ai plaku 87-vjeçar ndihej i fyer, ndaj erdhi të fliste me gjyqtarët. E kuptoni apo jo ku kemi arritur? Një plak i vjetër në moshë lë shtëpinë dhe vjen në stadium, por nuk largohet dot, sepse e irriton gjykimi”, – u shpreh dje kreu i klubit “Flamurtari”, Sinan Idrizi.

VËMENDJA TE KAMAZA – Ndaj Laçit është luajtur në dy ditë dhe natyrisht që lodhja te lojtarët është ndier. Për këtë qëllim, stafi teknik ka vendosur që lojtarët të qëndrojnë një ditë pushim, ndërsa përgatitjet për takimin e së premtes ndaj Kamzës të fillojnë sot. Me këtë transfertë vlonjatët mbyllin vitin 2017 dhe do të kërkojnë maksimumin, pavarësisht faktit se luhet ndaj një skuadre që ka bërë mirë në këtë kampionat. Gjendja psikologjike nuk është ajo më e mira pas asaj çfarë ndodhi në fundjavën që lamë pas, por kuqezinjtë shpresojnë të fitojnë të premten, pasi janë një skuadër që në transfertë shprehet më mirë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.