Starova: Kur do, do!

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, e ka pranuar se fati ishte i kuq sot, duke parë mënyrën si erdhi fitorja kundër Teutës, me një gol në fundin e shtesës, kur dukej se kishte marrë fund dhe Teuta po shijonte pikën.

“Ishte ndeshje e bukur, edhe kundërshtari luajti mirë dhe ndoshta nuk e meritonte humbjen, por kur do, do, si i thonë në këto raste. Fitoret në fund janë të bukura, por humbjet në fund janë të dhimbshme, ndaj ishim me fat dhe më vjen keq për Teutën, që ka një skuadër shumë të mirë dhe e nisi fuqishëm kampionatin, edhe pse ka pasur luhatje. Fillimi ishte i mirë për Teutën, që gjeti golin, por reaguam shpejt dhe skuadra u rrit gradualisht. Kishim shumë ndryshime në formacion, kishim probleme me viroza dhe me dëmtime, Trashi, Kalari e lojtarë të tjerë kishin probleme. Ashtu si shkoi ndeshja, skuadra po demoralizohej dhe nuk po arrinim të gjenim hapësira, por jam i lumtur që shënuam në fund, edhe pse më vjen keq për Teutën, sepse kujtoi se e mori barazimin. Ishte një dhuratë nga zoti, tani do të punojmë më të qetë në vazhdim. Ishte një javë pozitive për ne, duke parë rezultatet e rivalëve mbi ne.

“Ndryshimet në janar? Kemi ende shumë ndeshje, është edhe kupa, ndaj kemi ende objektiva të rëndësishme dhe natyrisht që do të mundohemi të përforcohemi. Lojtarët të shpërqendruar nga merkatoja? Nuk besoj, sepse përndryshe do ishte nënvlerësim ndaj Teutës, që është ekip shumë i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë, siç u pa edhe sot. Nuk kemi qenë të lumtur për afrimet e këtij sezoni, kemi bërë shumë ndryshime, ndaj na duhen përforcime”.

“Titulli? Nuk kam kohë të flas për kupat e Europës, jo më për titullin. Objektivi është të fitojmë ndeshjen e radhës, më pas të shohim.

“Tifozët jashtë? Duhej të hynin, nuk mund të niste ndeshja pa u futur tifozët, përtej probleme që paskan lindur në basketboll. Futbolli luhet për tifozët, nuk mund të niste ndeshja në kushtet kur gjysma e tifozëve ishin jashtë dhe nuk lejoheshin të hynin. E dimë rregulloren, Partizani do të dënohet nëse vonon sërish ndeshjen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *