Mjafton të përmendet emri i Sulejman Starovës dhe ka gjithmonë lajm, aq më tepër kur ulesh dhe i shtrohesh muhabetit me të. Rastësia sjell një takim me “Bobin” në Tiranë, qytetin e tij, që e ka braktisur prej një muaji. 62-vjeçari ka shkuar në Kosovë për të marrë drejtimin e Feronikelit. Një histori aq e bukur, sa edhe e veçantë, pasi erdhi krejt papritur për ish-teknikun e Partizanit. Jeta të hedh me një dorë dhe të pret me dorën tjetër, adrenalina është më e madhe kur përkundesh në tallazin e saj. Duket se Starova ka gjetur një “oaz” të vogël në Kosovë, pasi aty ndihet “mbret” dhe e respektojnë, në një kohë që te Partizani i kishte humbur kurora dhe e vuajti jo pak këtë gjë.
Nuk mund t’i ikte rasti Sulejman Starovës për të folur për titullin e vitit 2015-16. Ai është një ndër personat që e ka mbrojtur më shumë dhe deklaron hapur se mendon se fitorja e Skënderbeut në CAS ka qenë një skenar i parapërgatitur. “Jam 100% i bindur se e gjitha kjo ka qenë një skenar i Armando Dukës që ia hoqi me urdhër vetë, që nëpërmjet këtij dënimi t’i zbuste dënimin e madh. Skenari vazhdoi deri në fund, që Korça të rimarrë titullin”, – u shpreh fillimisht Starova.
– Titulli është kthyer i Skënderbeut, por a mund t’i shpëtojnë dënimit 10-vjeçar?
– Më lër ta sqaroj deri në fund. Fakt është që FSHF-ja me urdhër të pronarit të saj, Armand Duka, ia heq kampionatin Skënderbeut. Pse ky njeri që ka qenë 100% i lidhur me Skënderbeun me “Ama Caffe”, ia hoqi? Akuzat e Korçës i kam ditur që në janar kur isha në Antalia me Partizanin, nga titullarë të ekipit se Korça do të dënohej 10 vite. Si ka mundësi ky njeri ia heq Skënderbeut dhe nuk ia jep Partizanit? Ti e lë evazive. Ai e ka hequr me qëllim që t’u thotë UEFA-s e kam dënuar me kaq, lëreni dënimin aq sa është. Tani ia njeh kampionatin, pasi Skënderbeu është dënuar edhe vjet.
– A mendoni se Partizani ka fuqi që të kapë Evropën?
– A ka fuqi? Nuk shtrohet kështu pyetja…
– I referohem ndeshjes së humbur me Kukësin 4-0 dhe humbjes me Skënderbeun…
– Humbi 4-0, e çfarë do të thotë? Mos harroni se Skënderbeu në 3 vite mezi ka marrë pikë me ne.
– Megjithatë, këtë sezon Skënderbeu ka 3 fitore dhe 1 barazim me ju. Me Kukësin nuk funksionoi asgjë…
– Në ndeshjen ndaj Kukësit, ditën e parë që Dalipi ndryshoi formacionin tim, u dëmtua. Ditën e parë që guxoi të prishte formacionin. Ai e ka parë shumë mirë se si rrihet Kukësi brenda, pasi ka qenë zëvendëstrajner dhe e ka provuar eksperiencën se si mundet. Dalipi doli jashtë strategjisë të gjithë trajnerëve dhe e pësoi. Humbja ishte një aksident mund të them, në sensin që gaboi trajneri i ri. Partizani ka qenë ndër më të mirët, pasi ka zhvilluar lojën më të mirë. Tani u vu dorë te formacioni. Tani gabimet t’i gjejnë të tjerët se pse po lëkundet vendi për Europa League. Për sa kohë isha unë kishte një sulm të tmerrshëm nga gjyqtarët, tani që ika unë nuk ka më…
– Mos duhet të themi se sulmi ishte i përgatitur nga vetë klubi?
– Jo, jo, vetëm kjo nuk qëndron. Unë i referohem vetëm fakteve. Mua më thanë: ‘Hajde na shpëto, nuk ke asnjë obligim’. Unë i thashë: ‘I kam obligimet, zë vendin e dytë, më ruani nga gjyqtarët’. Nuk më ruajtën. Kam sulmuar kamikazin Meta dhe vazhdoj ta bëj. Kush e ruan kamikazin? Pse ruhet kamikazi? E ruan Duka, kaq.
– A është e vërtetë që një krisje e madhe e juaj me klubin ka qenë kur kanë tentuar të ndërhyjnë në formacion?
– Jo. Nuk ka pasur shans ndonjë njeri të ndërhyjë te unë dhe nuk kanë tentuar ta bëjnë. U nisa me 14 persona në Antalia dhe filluan të vijnë gradualisht. I pari që ka ardhur ka qenë Lukasi, nuk ka pasur arsye për presion. Unë kam insistuar për Belicën dhe Gojkoviçin të vinin më herët. Belicën e kisha me dyshim, se kishte muaj pa luajtur. Binda lojtarin që të luante me pak lekë njëherë dhe më pas më doli i suksesshëm.
– Po flitet për afrimin e një trajneri të ri, Mario Tokiç. Çfarë mendimi keni?
– Uroj që të dalë pozitiv, por fakti është që nëse i referohemi 15 viteve të fundit, asnjë trajner i huaj nuk ka fituar. Trajnerët shqiptarë kanë fituar trofe, por ata kanë marrë paratë. Nuk e kam për xhelozi, aspak. Kam vlerësuar nivelin e teknikëve të huaj, por atyre u duhet kohë. Në Shqipëri nuk duron kush gjatë. Tokiç shpresojmë që të dalë i mirë, nëse do të bëhet trajner i Partizanit.
– Po gjasat si janë?
– Këtu kanë ardhur trajnerë të mëdhenj dhe nuk kanë pasur rezultat. Shihni Tiranën me kë ka dalë kampion, kur kanë punuar shumë të huaj dhe nuk kanë pasur rezultat. Trajneri do kohën e vet që ta presësh, duhet durim.
– E fundit, a jeni ndjerë i tradhtuar nga Dalipi?
– Më ka ngelur hatri me Dalipin që në kushtet që isha i dënuar ka lëvizur nga detyrat e mia, pasi komandën e kisha unë, jo ai. Kur kam debatuar më ka thënë: ‘Kam punuar më shumë për ty, sesa për vete’. Kjo ka qenë përgjigjja që më ka lënduar në shpirt. I thashë: ‘Kur të marrësh trajnerin e dytë, duhet të punojë 100% për ty, jo për veten e vet’. Më vjen keq dhe për postimin që bëri, që po i realizohej ëndrra për t’u bërë trajner i Partizanit, në një kohë që unë isha ende trajner i parë. Nuk ishte shumë etike nga ana e tij.