Është vetëm 19 vjeç, luan si mesfushor qendror te Standardi i Liezhit, ka cilësia të shkëlqyera teknike dhe adhuron Modriç e Kros, është shqiptar dhe ëndërron të luajë për Shqipërinë! Po flasim për Lindon Selahin, një djalosh me origjinë nga Kumanova, por lindur dhe rritur në Belgjikë, i cili ka refuzuar Maqedoninë dhe shprehet i hapur për t’u veshur kuqezi, edhe nga FSHF nuk ka ende ndonjë bisedë serioze kohët e fundit.
Selahi prej fundvitit të shkuar është bashkuar me ekipin e parë dhe trajneri portugez Sa Pinto e ka me sy të mirë, duke ia pikasur talentin që kur ishte pjesë e të rinjve. Disa ndeshje në stol këtë sezon, ashtu si në finalen e Kupës së Belgjikës, ku Standardi i Liezhit triumfoi dhe Selahi në fund festoi me flamurin kuqezi.
“Unë kam vetëm shtetësi belge. Maqedonia nuk më intereson, por vetëm Shqipëria, ose Belgjika. Mirëpo, tani nuk mund të them asgjë, sepse nuk kam folur me trajnerin e ekipit U-21, as me trajnerin e kombëtares së Shqipërisë”, tha Selahi para disa javësh.
Sot me siguri edhe Shqipëria është kujtuar për të, sepse Standardi luante një ndeshje shumë delikate, një finale të vogël, në Bruksel kundër Anderlehtit, ndërsa trajneri Sa Pinto habiti të gjithë, duke i dhënë një fanellë titulli Selahit! Titullar në një finale kundër Anderlehtit të madh? Selahi e bëri si duhej detyrën, mori edhe një karton të verdhë në fund të pjesës së parë, duke e tepruar paksa me ndërhyrjet, ndaj trajneri e zëvendësoi për të mos rrezikuar kartonin e kuq në pjesën e dytë.
Standardi i Liezhit fitoi 3-1 dhe tashmë është i dyti në Belgjikë, që do të thotë kualifikuese në Champions League, nëse ruhet ky pozicion edhe në dy ndeshjet e mbetura.
Ndërkohë, Selahi e kaloi me sukses provën e parë, që për çdo futbollist është më e vështira, sidomos kur debuton në ndeshje të tilla.