Nga Klaudio Ndreca
E njëjta llogjikë, e njëjta histori që vijon në Shqipëri. E çuditshme, e pakuptimtë dhe një emër përkufizimi që gjithëkush prej jush mund t’ia vendosi lehtësisht një teme që në vendin tonë ndeshet gjithmonë, pavarësisht se vitet kalojnë dhe asnjëherë nuk marrim mësime nga gabimet e së shkuarës.
Për të ndërtuar është mision i pamundur, por kur bëhet fjalë për të prishur, në Shqipëri janë të parët. Këtë fat do të ketë edhe stadiumi i Kamzës, një terren sportiv që do t’i mungojë qytetit. Drejtuesit vendor kanë një plan për këtë stadium që ka gati gjysmë shekulli, por jo shumë premtues.
Ky ambient do të kthehet në parkim, si në shumë zona të tjera në kryeqytet. Por ajo që nuk kuptohet është se përse zgjidhet pikërisht një ambient sportiv, që të kthehet në shesh-pushim për makina. Gjithsesi disa qytetarët dhe përfaqësues të klubit sipas imazheve të ofruara nga “Ora News”, kanë dalë për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të bërë të qartë reagimin kundër këtij vendimi të padrejtë, pasi gjithë jeta e tyre simbolizohet nga stadiumi në fjalë. /Sport Ekspres/