Kukësi do të duhet të presë ende për të luajtur ndeshjen në stadiumin e rikonstruktuar, “Zeqir Ymeri”. Nëpërmjet një komunikate zyrtare klubi bën me dije se impianti i ri është gati, por ekspertët kanë këshilluar që ndeshja e parë të mos jetë ajo me Tiranën, por të pritet edhe pak ditë për të mos dëmtuar fushën e re. Verilindorët bëjnë me dije se dueli i radhës me Tiranën do të luhet në “Loro Boriçi” ditën e hënë, ku kërkojnë edhe mbështetjen e tifozëve për të marrë një rezultat pozitiv.
“Stadiumi është gati dhe për pak ditë do të rikthehemi në shtëpi pas një mungese relativisht të gjatë. Klubi kishte kërkuar që ndaj Tiranës të luante në stadiumin e ri, por ekspertët kanë këshilluar që të luhet pak ditë më vonë sepse është shpejt për fushën. Tapeti i ri u vendos 3 javë më parë dhe ende nuk është në gjendje optimale për ndeshje. Një ndeshje e parakohshme, do të shkatërronte fushën.
Në këtë mënyrë, ndeshja ndaj Tiranës u vendos të luhet ditën e hënë dhe pas shumë bisedimeve me FSHF, u vendos në Shkodër. Për të qenë më pranë tifozëve, klubi kërkoi të luajë në “Air Albania” megjithatë, ndeshja do të luhet në “Loro Boriçi”. Mbështetja e tifozerisë në Shkodër, do të ishte një ndihmë e madhe për ekipin tonë. Kemi treguar se bashkë jemi më të fortë dhe së bashku do të arrijmë gjëra të mëdha”, njofton klubi i Kukësit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/