E morën nga Kategoria e Dytë si një element të spikatur në radhët e skuadrës së Devollit, ku me teknikën e lartë që zotëron por edhe me lojën shumë të bukur që ka zhvilluar, ka qenë padiskutim një nga titullarët më të mirë të Naftëtarit. Falë lojës së bukur dhe me nivel të lartë që ka paraqitur tek Naftëtari, shumë ekipe tashmë kërkojnë shërbimet e mesfushorit devolli për pjesën e mbetur të këtij kampionati. Dhe siç ka bërë të njohur së fundi, duke folur ekskluzivisht për këtë rast të cilin e ka ndarë me “Sport Ekspres”, mesfushori Fabjan Nallbati ka bërë të ditur se së fundi ka marrë një ofertë zyrtare nga skuadra e Pogradecit, duke u kontaktuar direkt nga tekniku i “liqenorëve” Festim Fetollari.
NALLBATI – “Është me të vërtetë një zhvillim i ri dhe shumë pozitiv për karrierën time, një ofertë që më ka ardhur së fundi nga skuadra e Pogradecit, ku më konkretisht ka qenë tekniku Festim Fetollari ai që më ka kontaktuar dhe më ka prezantuar edhe ofertën konkrete. Më duhet që të falënderoj profesor Festimin që më ka vlerësuar si futbollist, pasi realisht skuadra liqenore po prezantohet denjësisht në këtë kampionat. Por, njëkohësisht dua t’i shpreh mirënjohje edhe drejtuesve të Naftëtarit e veçanërisht trajneri Fraholli për besimin e madhe që më kanë dhënë. Për momentin kërkoj të vijoj me Naftëtarin, duke shpresuar që aty të sistemohen problemet financiare, dhe të shpresojmë pse jo të qëndrojmë në kategori qoftë edhe me ndeshje shtesë në fund të sezonit. Ndoshta për sezonin e ardhshëm mund të kem bisedime me pogradecarët”, – tha Nallbati.
Edi Spahiu