Superiorja ka hyrë në një fazë të vështirë tashmë ku nuk tolerohen hapa të gabuar, teksa vetëm 11 javë kanë mbetur deri në përfundim të kampionatit. Shpesh herë klubet kanë zgjedhur t’i besojnë stolin trajnerëve të huaj, duke i parë si çelësin e suksesit. Një gjë e tij vlen edhe këtë sezon, por nëse i hedhim një sy tabelës së klasifikimit kuptojmë se suksesi nuk vjen nga jashtë.
Në krye është Tirana që udhëhiqet nga “njeriu i Zotit”, Egbo. Një trajner Nigerian por me 20 vite të jetuara në Tiranë që e kanë shqiptarizuar. Madje edhe vetë Egbo e quan veten një tiranas, teksa e ka pohuar një fakt të tillë në një intervistë të dhënë. E për të vijuar më pas me Kukësin, Laçin dhe Teutën. Të treja klubet vijnë fill pas bardhebluve në klasifikim dhe pankina e tyre është shqiptare e ka bërë një sezon mjaft të mirë ku po vazhdojnë të luftojnë për objektivat. Gjithashtu punë të mirë ka bërë edhe Daja në krye të Skënderbeut, që duke ditur edhe gjendjen e klubit korçar ka bërë të ndihet dora e tij.
Nga ana tjetër trajnerët e huaj nuk po bindin si duhet e ndoshta nuk ia kanë dalë të ambientohen me mjedisin shqiptar. Dovedan bëri një pjesë të parë për tu duartrokitur, por kampionati zgjat më shumë se dy faza dhe luhatjet janë ndjerë dukshëm në 2020-n. As Jonuz nuk po e sheh Vllazninë e tij atje ku klubi dhe ai vetë synon, megjithëse diferencat me vendin e tretë nuk janë edhe aq të mëdhaja. Sidoqoftë shkodranët janë në të pozicionuar në zonën e ftohtë dhe ende nuk po gjejnë një balancë me rezultatet e tyre.
E për ta përmbyllur kemi edhe kampionët në fuqi të Partizanit, që në duart e italianëve ka dështuar. Fillimisht me Lerdën që e futi ekipin në krizë e për të ardhur tani te Sormani që në vend se ta ndreqë këtë situatë, nuk ka bërë gjë tjetër veçse vazhdimin e rrugës së lënë përgjysmë nga paraardhësi i tij. Besnikëria e Partizanit ndaj italianëve vazhdon të jetë e fortë, megjithëse sezoni i kaluar duhej të shërbente si një mësim, teksa titullin e munguar prej shumë vitesh ia riktheu një shqiptar, Skënder Gega.
Kështu klubet e Superiores nuk është nevoja të kërkojnë larg për të synuar objektivat, pasi tabela e renditjes flet qartë se suksesi mund të vijë edhe nga brenda Shqipërie. /Sport Ekspres/