Gjithmonë ka pasur pak njerëz, jo të tërhequr nga sporti më i ndjekur në botë, futbolli, që shpreheshin thjeshtë dhe të çuditur: “Po për çfarë i ndiqni? Ata vrapojnë vetëm pas topit, 22 njerëz që vrapojnë pas sferës, sa e mërzitshme”.
Por këto tre ditët e fundit në Shqipëri, kanë treguar se e gjitha kjo është për t’u mohuar dhe këtu i referohemi veprave. Në këto tre ditë është treguar se protagonistët e këtij sporti vrapojnë edhe pas jetëve në rrezik.
E nga t’ia nisim? Ndoshta më mirë ta fillojmë nga tifozët, që shpeshherë përfliten dhe për ta shkruhet vetëm në raste përplasjesh të vogla apo sjelljeve ndonjëherë të gabuara në stadium. Por askush nuk e prek perfeksionin, ndërsa Shqpëria duhet t’i gëzohet tifozëve të saj.
Të gjitha grupimet e tifozëve dhe nga të gjitha Kategoritë në Shqipëri, Superiore apo Kategori e Parë, nga Kosova, Maqedonia apo çdo trevë tjetër shqiptare, vepruan në të njëjtën mënyrë. Duke mbledhur ndihma dhe duke shkuar për të ndihmuar familjet e prekura në Durrës. Madje “Plisat” do të merrnin edhe shumë persona me vete në Kosovë, për t’i qetëusar atje.
A është vetëm futboll dhe gjithçka rrotullet rreth topit? Jo! Ekipet shqiptare kanë pasur po të njëjtën senzibilizim, për të mbledhur ndihma dhe për t’i dërguar në zonën e prekur. E pasuar kjo edhe nga shumë ekipe në trevat e tjera shqiptare.
Për të vazhduar me gjyqtarin Laver Alla, që shkoi menjëherë në Durrës për të përmbushur misionin dhe punën e tij tjetër si zjarrëfikës, ku kërkohej shpëtimi i sa më shumë jetëve. Gjithashtu edhe presidentët e Federatave të Futbollit u bënë së bashku: “Shqipëri, Kosovë, Maqedoni”. Jo se më parë nuk ishin, por me një tjetër qëllim që nuk lidhej me stadiumet apo me organizimin e ndeshjeve, por me ndërtimin e disa shtëpive. Po tani, a rrotullohet gjithçka rreth topit? /Sport Ekspres/