Speciale/ Fiksimi i keq i shqiptarëve me trashëgimin familjare, Ekubani është zhdukur te Partizani

Një problem i madh në Shqipëri dhe që shihet në çdo fushë të jetës, është padyshim njëfarë trashëgimie e familjes. Shpeshherë shohim mbiemra të njëjtë mes njerëzve të njohur, që më shumë sesa për aftësitë e tyre, ecin përpara edhe falë suksesit që kanë bërë të afërmit.

Kështu mbërriti edhe Joseph Ekuban te Partizani. Më parë ishte Caleb Ekuban që i la të gjithë pa fjalë në Superiore, për t’u shndërruar në sulmuesin më të mirë dhe një nga të huajt më produktiv që kanë ardhur në elitën e futbollit shqiptar.

Duke parë se Calebi ishte e shkuara dhe nuk ishte e mundur të merrej më, u gjend zgjidhja tjetër: “Të marrim vëllain”. Ekuban për Ekuban, por cilësitë dhe veprat në fushë ndryshojnë tmerrësisht shumë mes vëllezërve. I vetmi vend ku janë parë disi më shumë “aftësitë” e Joseph është Kupa e Shqipërisë.

Por sigurisht që tifozët e kuq prisnin më shumë prej tij. Është ende i vogël, 19-vjeç, por një shkëndijë duhej të jepej gjithsesi. Në ndeshjet e Superiores është thuajse “i zhdukur” duke mos iu besuar asnjëherë.

Kjo tregon se edhe në stërvitje me ekipin, Joseph Ekuban është shumë larg asaj që duhet për të qenë në fushën e lojës. Pra një lëvizje kjo e cila deri tani mund të konsiderohet si e dështuar. Të paktën për momentin që flasim, duke dhënë edhe një leksion të madh. Çdokush dhe çdokujt duhet t’i jepet mundësia për aftësitë që ai zotëron dhe jo për të shkuarën e tij apo sesa familjarët kanë qenë të suksesshëm më parë. Një Caleb Ekuban që është protagonist absolut në elitën e Turqisë, megjithëse ka përfunduar i dëmtuar në kohët e fundit dhe një Joseph Ekuban që vetëm shëtit në rrugët e Tiranës. Sa shumë ndryshime mes tyre, ndërsa Laçi me pak zhurmë arriti ta gjente më të mirin në trevën shqiptare, në Kosovë, Nabuezen. /Sport Ekspres/