Spastrimi i janarit, rrezikon edhe Vila

0

Mesfushori nuk konsiderohet më i paprekshëm dhe mund të jetë ndër largimet më të bujshme nga klubi i kuq, ku gjysma e ekipit mund të dalë në rrugë

Një dështim total, 6 fitore e 6 humbje në 15 ndeshje kampionati, me gjysmën e sezonit që thuajse është ezauruar, ndaj Partizani gjithnjë e më shumë po mendon spastrimin rrënjësor dhe humbja e turpshme në Gjirokastër ka bindur të gjithë se është koha për revolucion. Të ardhurit në verë janë të sigurt se do të largohen, nëse nuk e kanë bërë ende, ndërsa përjashtim bën Jasir Asani, por ky nuk është pjesë e grupit të afruar nga drejtuesit italianë dhe trajneri Juliano. Nuk mbaron me kaq, sepse është tepër e lehtë të fajësosh të ardhurit dhe të pretendosh se gjithçka zgjidhet me largimin e tyre. Tashmë duhen larguar edhe disa emra nga “garda e vjetër” dhe synimi i klubit të kuq është rinovimi në çdo drejtim, duke nisur nga mosha. Për këtë arsye, shumë lojtarë rreth të tridhjetave mund të detyrohen të gjejnë ekip tjetër.

VILA – Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare mbush 30 vjeç shkurtin e ardhshëm dhe te Partizani luan sezonin e katërt. Ka qenë gjithnjë titullar, por sezonin e shkuar dhe atë aktualin rendimenti i tij ofensiv ka ardhur në rënie, ndoshta edhe për shkak të përdorimit të tij si mesfushor i tërhequr, pa pasur lirinë e zakonshme për të shkuar në sulm e për të prodhuar asiste e gola. Në sezonin aktual Vila ka luajtur në 13 ndeshje kampionati, 1055 minuta në total, por ende nuk ka shënuar dhe nuk është se ka bërë dallim nga amullia totale që ka përfshirë skuadrën e kuqe. Burime nga klubi i kuq rrëfejnë se mesfushori është një ndër emrat e shumtë që mund të sakrifikohen në janar për të ulur nivelin e shpenzimeve dhe për të rinovuar skuadrën. Në mesfushë shumë pak lojtarë janë të sigurt për qëndrimin dhe pas firmës së Telushit, priten edhe afrime të tjera, ndaj duke përjashtuar Bardhin, Trashin e Bathën, gjithë të tjerët janë në diskutim dhe nëse u gjendet pasuesi, do të lihen të lirë, natyrisht me marrëveshje, për të evituar çështjet gjyqësore.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.