Trajneri i Interit, Luçino Spaleti ka komentuar fitoren e ekipit të tij përballë Krotones. Një tjetër sukses i vuajtur, i ardhur vetëm në fundin e takimit. Por që në realitet shijon shumë, sepse do të thotë kryesim i vetëm i renditjes nga zikaltërit.
Fitore pa klas – “Nuk ishte e lehtë, por jam shumë i kënaqur, sepse lojtyarët e mi janë sjellë si profesionistë të vërtetë në fushë. ata i janë përshtatur mjaft mirë lojës së kundërshtarit, që na ka vënë në vështirësi. Ndeshja po luhej në kushte jo shumë të favorshme, sepse bënte shumë nxehtë, fusha ishte shumë e thatë dhe kjo e ngadalësonte mjaft ritmin e lojës. veçanërisht në pjesën e parë kemi vuajtur shumë. Në pjesën e dytë jemi munduar të rregullojmë diçka dhe në fund kemi dalë fitues. Fakti që i jemi përshtatur mjaft mirë një rivali dhe kushteve të vështira tregon se po shfaqim shenjat e një skuadre tepër cilësore.”
Problemet me tifozët – “Nuk mendoj se publiku kishte gjë kundër meje kur festova për golin e dytë. Ndoshta e kishte me ju gazetarët, që gëzuat më shumë se unë. Në golin e parë të Interit nuk kam lëvizur fare, kur në momentin e golit të dytë kam festuar me stafin tim. Mund të shkruani çfarë të doni, por nuk kam bërë asgjë të pahijshme.”
Handanoviç – “Handanoviç ka qenë i shkëlqyer në 2-3 momente, por dhe ne kishim krijuar raste të pastra për shënim. Këto fitore janë një tregues se ekipi po rritet, po tregon soliditet.”
Vendi i parë në renditje – “Nuk më intereson aspak në këtë moment që flasim. Ne kemi ardhur në Krotone për të fituar dhe kemi marrë tri pikët. Por rruga jonë është shumë e gjatë, tani mungojnë dhe 34 ndeshje dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të fituar sa më shumë prej tyre.”
Skriniar një lider – “Ai është një lojtar ideal për çdo trajner. Është gjithnjë shumë i kujdesshëm në ato çfarë bën, nuk duket asnjëherë në vështirësi. Më kanë mjaftuar vetëm dy javë në stërvitje për të kuptuar se për çfarë lojtari bëhet fjalë.”