Trajneri zikalter, në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Fiorentinën: “Tifozët duhet të na mbështesin gjithmonë, unë vlerësoj grupin dhe jo individin. Jemi gati për këtë aventurë
“Ne duhet të jemi më shumë se të mirë”. Ka qenë kjo, pak a shumë, sinteza e mendimit të Spaletit në prag të debutimit në këtë kampionat të Interit dhe të të tijin personal në stolin e zikaltërve. Kundërshtari do të jetë Fiorentina, në “San Siro”, skuadra e ish-trajnerit Pioli. “Kanë një trajner që është një person i jashtëzakonshëm, me ekuilibër të madh. Për ne do të jetë një ndeshje e vështirë sepse Fiore ka kualitete dhe entuziasmin e lojtarëve të rinj që duan të tregojnë më të mirën”.
FILOZOFIA E LUÇIANOS – “Nuk jam unë ai që do të vendos titujt, do të jenë lojtarët, ata janë forca jonë, skuadra jonë. Në këto ditë jam thërritur në kauzë si element i rëndësishëm i kësaj skuadre dhe klubi. Duhet të drejtojmë objektivin te lojtarët tanë, janë ata siguria jonë e vetme. Kemi të bëjmë me lojtarë të mëdhenj dhe njerëz të mëdhenj. Mendoj se mund të sjell mesazhin e tyre. Ne mund të jemi edhe në vështirësi në disa momente, do të humbasim edhe ndonjë ndeshje, por kundërshtarët tanë duhet të derdhin të gjithë gjakun e mundshëm sportiv që kanë dhe të vendosin zemrën e tyre në fushë, përveç këmbëve për të na mundur”.
TIFOZËT — “Dëgjoj se flitet për 50 mijë tifozë në “San Siro”. Është një thesar i rëndësishëm që ne nuk duhet të humbasim, por ta fitojmë dhe ta mbajmë. Ai në “San Siro” duhet të jetë për ne dhe tifozët tanë një takim sentimental, në të cilin duhet të ketë dashuri dhe jo vend për tradhti. Këtë duhet t’u tregojmë ne tifozëve tanë. Madje që nesër do t’u kërkoj lojtarëve që në kufjet e tyre të mos mbajnë vetëm muzikë, por edhe thërritjet e 50 mijë tifozëve përpara ndeshjeve”.
EMOCIONE – “Futbolli është një gjë shumë e bukur dhe ristarti duhet t’i japë emocione të gjithëve, jo vetëm futbollistëve të mi. Unë u kisha kërkuar atyre të donin ngjyrat tona, krenarinë e së shkuarës sonë, të historisë sonë. Kanë qenë 40 ditë pune që ne kemi kaluar për t’u njohur dhe për të ndërmarrë së bashku këtë aventurë, por duhet ta bëjmë me ndërgjegje të plotë. Kam pak emocione, edhe pse mund të them se jam gati, teksa kur shoh skuadrën që vrapon kur del nga fusha e stërvitjes, më bën të ndihem i qetë sepse jam i sigurt që edhe lojtarët janë gati”.
GRUPI — “Zhoao Mario, lojtari që dialogun me Ikardin? Unë kam pesë në atë pozicion, të gjithë të aftë të punojnë bashkë. Borha Valero, Brozoviç, Zhoao Mario, Eder dhe Jovetiç. Ndonjërin edhe mund ta shpikim në atë rol, duhet kreativitet. Nëse skuadra ndërton mirë, trekuartisti është në gjendje të bëjë punën e duhur. Skuadra nuk duhet të ndahet, është një bllok i vetëm. Nuk do të kritikoj vetëm një lojtar kurrë dhe asnjëherë nuk do të ekzaltoj një të vetëm. Rezultatin e bën skuadra jo ai që shënon 20 gola. Kjo është teoria ime e punës”.